fbpx

Cikalleshi: Mezi pres ftesën e Panuccit, kualifikohemi

cikalleshi-1.jpg

Sokol Cikalleshi është një nga ata futbollistë që nuk ka gjetur shumë hapësira në Kombëtaren Shqiptare, gjatë drejtimit të Panuccit, ndonëse ishte i grumbulluar i përhershëm dhe shpesh herë titullar, kur kuqezinjtë drejtoheshin nga De Biasi.

Edhe sulmuesi Kavajas, që luan pikërisht në kampionatin turk me Goztepe, ishte në lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport, ku dha mendimin e tij për shortin dhe sqaroi pozicionin që ka aktualisht në Kombëtaren Shqiptare.

Është hedhur sot shorti i Euro 2020-ës. Ku mund të renditet Shqipëria në Nëntorin e ardhshëm?
Çdo grup do të ishte i vështirë, por unë mendoj që duke veçuar Francën, është një grup i ekuilibruar, me skuadra që do të diskutojnë shanset e tyre. Turqia dhe Islanda do të jenë rivalët tanë direkt për kualifikim, por nuk duhet të harrojmë as Moldavinë, pasi ndaj të voglave ne vuajmë shumë. Është grup i vështirë, por duhet ta fillojmë shumë mirë edicionin, duke marrë maksimumin në dy sfidat e para, pasi kështu rriten shpresat.

Është një grup i ngjashëm me atë të eliminatoreve të Euro 2016?
Duke krahasuar ekipet me të cilat ne do të luftojmë për vendin e dytë, si Turqia dhe Islanda, mendoj se ka shumë ngjashmëri. Turqia ka pasur luhatje dhe nuk është aty ku duhet, për në eliminatore besoj se do të kenë një fytyrë krejt tjetër.

Kemi në grup Turqinë, ku edhe luani. A mendoni se kjo mund të ndikojë në një ftesë ndaj jush?
Për mua është një plus, pasi luaj prej 4 vitesh në kampionatin turk dhe njoh rreth 80% të lojtarëve që luajnë për kombëtaren turke. Mua më ka munguar shumë Kombëtarja kohët e fundit dhe e kam mbështetur në distancë rregullisht. Pres me padurim të rikthehem dhe po punoj fort që të arrij formën më të mirë dhe të vij, të kontribuoj për kuqezinjtë. Jam mirë dhe kam filluar të aktivizohem rregullisht ,ndërsa tani shpresoj të gjej edhe golat, për të merituar edhe ftesën.

Cilat janë pikat e forta të kombëtares turke? A mendoni se ne penalizon fakti që presim turqit në shtëpi, në ndeshjen hapëse?
Turqia ka një sulmues shumë të mirë si Tosun Cenk, që luan në kampionatin anglez, përveç Under dhe Calhanoglu, që i nohin të gjithë. Është meraku i një debutimi jo të duhur, që mund të ndikojë në gjendjen psikologjike, por unë mendoj dhe besoj se ne mund ta fitojmë ndeshjen e parë ndaj Turqisë, pasi kemi cilësi për të përballuar sfida të tilla.

A i keni sheshuar keqkuptimet që keni pasur me Panuccin?
Mes meje dhe Panuccit nuk ka asgjë, të paktën në këndvështrimin tim, çdo gjë është në rregull. Ai është në krye të detyrës dhe është kompetenti të përzgjedhë lojtarët. Unë kam dëshirë të jem gjithmonë, por jam profesionist në këtë drejtim dhe mirëpres vendimet e trajnerit, pavarësisht faktit që dua të mbaj atë fanellë të rëndë dhe të dashur.

Mendoni se të është “ngrënë haku”?
Unë mendoj se jam sqaruar me Panuccin dhe më pas vetëm kam respektuar zgjedhjet e tij, pasi dihet që është ai trajneri dhe i takon pikërisht atij ky vendim, pavarësisht nëse u pëlqen të gjithëve, apo jo. Unë jam profesionist dhe pres momentin tim, pavarësisht se dëshiroj të jem në çdo ndeshje dhe në çdo minutë në fushë, për Shqipërinë.

Si po ecën Goztepe në kampionat?
Ishim shumë mirë në fakt, por në 2-3 ndeshjet e fundit kemi pasur rezultate jo të mira, që na kanë destabilizuar disi dhe na kanë larguar disi objektivin për të zënë një vend për në kupat europiane, por jemi aty për të luftuar deri në fund.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *