Cili është universiteti më i mirë në botë?

Revista “Times Higher Education” ka bërë renditjen e universiteteve më të mira në botë.

Për të katërtin vit me radhë, Universiteti i Oksfordit vijon të jetë në vendin e parë.

Vlerësimet vjetore të realizuara kanë renditur universitetin amerikan, Instituti i Kalifornisë për Teknologji në vendin e dytë si dhe Universitetin Kembrixh në të tretin.

Universitetet amerikane vazhdojnë të dominojnë në renditje botërore pasi shtatë prej tyre gjenden në listën e 10 institucioneve më të mira. Sipas revistës, universitetet e Iranit kanë qenë në mesin e institucioneve që janë ngjitur lart më të shpejti në listën e këtij viti.

Sipas përpiluesve të listës, Gjermania ka mundësi që të tejkalojë Mbretërinë e Bashkuar, sa u përket universiteteve më të mira në Evropë.