Cipras betohet si Ministër i Jashtëm, Kotzias njofton zgjerimin e ujërave territorialë

Kryeministri grek Alexis Cipras u betua ditën e sotme si Ministër i Jashtëm, pas dorëheqjes së Kotzias.

Cipras u betua para presidentit Prokopis Pavlopulos dhe u takua më pas në Ministrinë e Jashtme me ish ministrin Nikos Kotzias për dorëzimin zyrtar të portofolit.

Gjatë ceremonisë për dorëzimin e portofolit të tij tek kryeministri, Kotzias njoftoi se Greqia është e gatshme të zgjerojë ujërat territoriale në bregun perëndimor prej 6 deri në 12 milje detare.

Zgjerimi do të përfshijë rajonin e detit që shtrihet nga Ishujt Diapontia, një grup ishujsh të vegjël në detin Jon, në Antikythera, një ishull që gjendet midis Peloponezit dhe Kretës.

Kotzias u shpreh se ky është “një zgjerim i rëndësishëm politik i sovranitetit të vendit për herë të parë që  prej kohës kur Greqia përfshiu ishujt Dodekanezë”, duke shtuar se dekretet presidenciale janë tashmë gati.

Kotzias dha dorëheqjen këtë javë për shkak të mosmarrëveshjeve që pati me kreun e partnerit në koalicionin e qeverisë së majtë, njëkohësisht Ministrin e Mbrojtjes, Panos Kammenos.

Lër një koment