fbpx

Çmimet në stratosferë, fruta-perimet dyfishohen

20150410161826378.jpg

Çmimet e frutave dhe perimeve në Shqipëri pothuajse janë dyfishuar në pesë vitet e fundit. Po të krahasojmë indeksin mesatar të çmimeve të konsumit për vitin e kaluar me atë të vitit 2012, çmimet e prodhimeve të freskëta bujqësore kanë njohur një rritje të jashtëzakonshme.

Më konkretisht, çmimet e grupit të perimeve janë rritur me 97%, ndërsa ato të grupit të frutave me 86%. Çmimet e këtyre produkteve janë rritur ndjeshëm edhe gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, ku rritja është më e theksuar sërish te perimet.

Shtrenjtimi i fortë i prodhimeve kryesore bujqësore rrit skepticizmin lidhur me valën e entuziazmit që ka karakterizuar retorikën politike të qeverive të fundit, kur flitet për bujqësinë.

As të dhënat e prodhimit kombëtar nuk tregojnë rritje domethënëse të këtij sektori, ndërsa, nga ana tjetër, shtrenjtimi i tyre tregon për një ofertë që, në rastin më të mirë, nuk është rritur mjaftueshëm.

Në pesë vitet e fundit, çmimet e gjithë grupit të ushqimeve janë shtrenjtuar me 20%. Kjo sigurisht që ka rënduar buxhetet familjare, po të kemi parasysh se ushqimet zënë rreth 39% në shportën e shpenzimeve familjare që përdoret si referencë për llogaritjen e inflacionit.

Rritja e çmimeve është mjaft e theksuar te perimet dhe frutat, megjithatë, shtrenjtimi i fortë në këto grupe është ekuilibruar pjesërisht nga rënia e çmimeve në grupet e produkteve ushqimore të përpunuara, çmimet e të cilave lidhen kryesisht me importin dhe konjukturën e tregjeve ndërkombëtare.

Në pesë vjet, çmimi i bukës për shqiptarët nuk është shtrenjtuar, përkundrazi, ka rënë mesatarisht me 1%.

Ndërsa çmimi i mishit, tjetër produkt i rëndësishëm në dietë dhe në shportën e shpenzimeve, është rritur me vetëm 0.7% në harkun e pesë viteve. Rënie të çmimeve kanë pësuar edhe vajrat ushqimorë, me 8.8% dhe sheqeri e ëmbëlsirat, me 2.2%.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *