Ç’ndodhi në tryezën për reformën zgjedhore, dalin konkluzionet

Sapo janë bërë publike konkluzionet e tryezës midis palëve politike në kuadër të dialogut për një konsensus sa më të gjerë për Reformën Zgjedhore.

Gjatë takimit të zhvilluar pa praninë e mediave ishin të pranishëm nga maxhoranca Damian Gjiknuri, nga opozita parlamentare Rudina Hajdari, si dhe nga opozita jashtë parlamentare Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

Në draftin e siguruar, nga konkluzionet e tryezës është dakordësuar për krijimin e një këshilli politik me përfaqësues nga të gjitha palët brenda muajit janar.

Palët kanë rënë dakord të formojnë Këshillin Politik me përfaqësues të opozitës, drejtuesve të komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare në Kuvend.

Ndërkohë që një përfaqësi nga opozita jashtëparlamentare dhe eksperte të saj do të punojnë me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ekspertët e atashuar pranë saj.

Për çështje që nuk ka dakordësi do të kërkohet asistencë nga përfaqësues të OSBE-së, e cila do të bashkëpunojë me përfaqësues të partive politike.

Ndërkohë ndër të tjera thuhet se Reforma Zgjedhore duhet të jetë mbyllur jo më vonë se 15 Marsi i vitit 2020.