Daçiç mërzitet nga deklarata e Cakaj për ngjarjet në Kosovë: Qeveria shqiptare të kërkojë falje

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, duket se nuk e ka pritur mirë deklaratën e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili ka thënë se Serbia është fajtore për vrasjen e 12 mijë shqiptarëve, deportimin e miliona njerëzve dhe dëmet miliona dollarëshe që janë shkaktuar gjatë luftës së fundit.

Daçiç ka thënës e Shqipëria përveç që duhet të kërkojë falje publike, duhet të distancohet nga deklaratat e bëra nga Cakaj, pasi sipas tij, Cakaj ka ofenduar shtetin dhe popullin serb.

“Ky është një falsifikim i ngjarjeve në Kosovë, dhe për këtë arsye pres që qeveria e Republikës së Shqipërisë të kërkojë falje”, ka thënë Daçiç teksa ka përmendur deklaratat e Cakajt.

Kreu i diplomacisë serbe ka thënë se këto deklarata të ministrit Cakaj nuk kontribuojnë në fqinjësinë e mirë në mes Beogradit dhe Tiranës, dhe sipas tij janë plotësisht në kundërshtim me përpjekjet e udhëheqësve të Serbisë për përmirësimin e raporteve me Shqipërinë.

Sipas tij deklarata të tilla ndikojnë edhe në stabilitetin e gjithë rajonit.