Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka ftuar sërish Opozitën që të ulet në dialog me ta për reformën Territoriale, Zgjedhore, por edhe ndryshimet Kushtetuese. I ftuar mbrëmjen e sotme në “Radarin Informativ” në “ABC”, Gjiknuri tha se është gati që të ulet në tryezën e dialogut me opozitën, por PD nuk duhet të vendosë kushte. Ai shtoi se palëve u duhen votat e njëri-tjetrit dhe se për këto arsye duhet dialog.
“Së pari nuk jam emëruar, nuk kam autorizim zyrtar (nga PS) por në pozicionin që jam kam mbajtur qëndrimin zyrtar edhe në takimin me ODHIR, ne jemi gati të ulemi me opozitën. Nuk zhvillohen negociatat që secili të vijë me listën e tyre të dëshirave. Ne jemi gati, nëse kërkojnë. Dëgjova kryetarin e opozitës që tha shumë shpejt do paraqesim kërkesë për komision. E presim kërkesën nga PD, ne jemi gati të negociojmë. Elektoralja ka rekomandime për t’u adresuar. Mendoj që është normale që të iniciohet nga opozita, pasi tradita politike ka qenë, që është opozita që inicion kërkesën. Megjithatë ne jemi gati ta ngrejë mbi parimet e bipartizanizmit. Kundërshtarin nuk e zgjedh dot, thjesht duhet të bashkëpunosh, je i detyruar të ulesh, nuk duhet të vish me kushte. Le të vijë në komision për të adresuar rekomandimet. Nëse duan të ndryshojnë Kushtetutën ky është një proces shumë i komplikuar. Ne do të ulemi pa kushte. Ne na duhen votat e atyre, atyre tonat. Reforma në drejtësi është përtej palëve nuk është ligj i karakterit politik. Shtyrjen nuk e kërkon shumica. Është një çështje që ka dalë për shkak të ecurisë së procesit që u mendua se do të ishte më e shkurtër,”- tha Gjiknuri.

