DASH urdhëron ambasadorin Sondland të mos dëshmojë në Kongres

Administrata e Presidentit Donald Trump urdhëroi të martën ambasadorin amerikan në Bashkimin Evropian Gordon Sondland, që të mos paraqitet përpara Kongresit për t’u marrë në pyetje lidhur me komunikimet mes Trump dhe zyrtarëve ukrainas që janë bërë shkak për një hetim për shkarkimin e presidentit.

Tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve kishin planifikuar të merrnin në pyetje të martën në mëngjes Sondland në seanca me dyer të mbyllura. Por avokati i Sondland tha se një urdhër i Departamentit të Shtetit e detyroi klientin e tij të mos paraqitej.

“Ai është ambasador në detyrë dhe punonjës i Departamentit të Shtetit dhe duhet të zbatojë urdhrin e tyre”, tha avokati i tij Robert Luskin.

Seanca me dyer të mbyllura ishte pjesë e hetimit për ngritjen e akuzave ndaj Presidentit Trump.

Në një reagim kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve Adam Schiff tha se Departamenti i Shtetit nuk po i jep Kongresit mesazhet e ambasadorit amerikan në Bashkimin Evropian që siç tha ai janë të rëndësishme për hetimin.

“Kongresi jo vetëm që po privohet nga dëshmia e tij, por ne jemi gjithashtu në dijeni se ambasadori ka mesazhe telefonike dhe e-maile në një pajisje personale, që i është dhënë Departamentit të Shtetit, megjithëse ne i kemi kërkuar të na i japë. Departamenti i Shtetit nuk po lejon që ne t’i marrim ato”, u tha Adam Schiff gazetarëve.

“Ato mesazhe janë shumë të rëndësishme për hetimin për ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit”, shtoi Schiff.

Në një postim në Twitter që pasoi këtë zhvillim presidenti shkruante:

“Do të doja ta dërgoja ambasadorin Sondland për të dëshmuar, një njeri me të vërtetë të mirë dhe amerikan i madh, por për fat të keq ai do të dëshmonte përpara një gjykate krejtësisht të kompromentuar, që injoron standardet e drejtësisë e të ligjit, ku të drejtat e republikanëve janë hequr dhe ku faktet nuk lejohen për publikun”.

Të hënën Presidenti Trump e kritikoi sërish hetimin duke e quajtur “një skemë mashtruese” të demokratëve, të cilët siç tha, nuk duan që ai të fitojë një mandat të dytë si president.

Hetimi ndaj presidentit Trump është fokusuar në pretendimet e një informatori që Trump përdori gati 400 milion dollarë ndihma ushtarake amerikane për të siguruar një premtim nga presidenti i Ukrainës për të hetuar Biden, një kandidat kryesor për nominimin presidencial për zgjedhjet e 2020.