Deficiti i lartë / ISSH propozon tre skenarë të rinj për pensionet e fshatit

Pesnionet.jpg

Foto ilustruese

Për shkak se të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë shumë me pak kontribute në krahasim me pensionin që përfitojnë është krijuar ndër vite një deficit të lartë, i cili ka vijuar të rritet edhe pas reformës së pensioneve se vitit 2014.

Për të ngushtuar këtë hendek Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka propozuar tre ndryshime në skemën e pensioneve të fshatit ku njëra prej tyre me gjasë për tu zbatuar është përcaktimi i një page minimale për fshatin për efekt të pagesës së kontributeve ashtu siç aplikohet aktualisht për vetëpunësuarit në sektorin private e cila aktualisht është 2400 lekë.

Opsionet e diskutuara janë:

1-   Rritja e masës së kontributit në masën e të vetëpunësuarve urbanë, gjë që sipas argumentëve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, do të sillte reduktim të ndjeshëm të pjesëmarrjes. Ulja e pjesëmarrjes do të ulte ndjeshëm mbulimin e popullsisë me elementë të sigurimeve shoqërore që nuk është shumë e pranuar nga pikëpamja sociale. Kjo do të sillte në të ardhmen jo shumë të largët rritjen e shpenzimeve për pensionet sociale që financohen nga shteti.

2-      Lënia e situatës siç është aktualisht, pra një pjesë e paguan bujku dhe pjesën tjetër e paguan shteti. Kjo do të sillte një financim të madh nga buxheti, nuk është e drejtë krahasuar me kategoritë e tjera të kontribuuesve, krijon “privilegje” të pajustifikueshme dhe prish parimin kryesor të skemës, atë kontributiv.

3-  Ngrirja e masës së kontributit sa është aktualisht, caktimi i një page minimale për bujqit që i përgjigjet kësaj mase kontributi dhe ruajtja e të gjitha kritereve dhe parametrave të formulës që është në fuqi. Duke vepruar në këtë mënyrë nuk deformohet parimi kontributiv i skemës, pensioni është produkt i kontributeve që paguhen, ulet subvencioni i buxhetit për kontributet dhe mbetet vetëm financimi i deficitit duke vendosur trajtim të barabartë midis qytetarëve, ndërgjegjësim të popullatës që pensioni nuk është një dhuratë nga qeveria, por një e drejtë që buron nga kontributet e paguara ndër vite (kursimet personale).

Për të shmangur diskriminimin midis të vetëpunësuarve ISSH ka propozuar që të vetëpunësuarit në bujqësi kanë detyrimin të paguajnë kontributet e llogaritura mbi pagën minimale për ta, por kanë mundësinë që mund të paguajnë edhe mbi nivelin e pagës minimale në shkallë vendi (që paguajnë të vetëpunësuarit urbanë).

Pra, nëse një bujk dëshiron të përfitojë një pension më të lartë ka mundësinë e pagesës me një pagë më të lartë.

Njëkohësisht të drejtat e fituara deri më tani ruhen, dmth të gjitha vitet e siguruara deri në hyrjen në fuqi të këtij propozimi do të llogariten me pagën minimale në shkallë vendi.

Në projektligjin e ri që propozohet për miratim  janë reflektuar ndryshimet ligjore që i përkasin opsionit të tretë.

Ky opsion ruan sistemin, formulën e llogaritjes së përfitimeve, parimin kontributiv të skemës, rrit përgjegjësinë individuale për pensionin, garanton mbulimin me elementë të sigurimeve shoqërore, garanton drejtësinë e sistemit dhe trajtimin e barabartë të qytetarëve.

Për realizimin e këtij propozimi është e nevojshme qe pas miratimit të ligjit të nxirret edhe një VKM ku të përcaktohet paga minimale për efekt të kontributeve të personave të vetëpunësuar në bujqësi.

Sistemi informatik që llogarit dhe paguan pensionet nuk ka nevojë për ndryshime apo zhvillime për të reflektuar këto ndryshime. (Monitor)

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303