fbpx

Deklarata e Bashës për reformën zgjedhore, flet Monika Kryemadhi

Qëndrimin e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha në lidhje me vijimin e reformës zgjedhore, e ka përshëndetur dhe mbështetur edhe Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Kryemadhi tha se qëndrimi i Bashës është edhe qëndrimi i LSI pasi sipas saj kryetari i PD-së ka folur në emër të opozitës së bashkuar.

Kryemadhi shton se sabotim u përpoq të bëjë kryeministri Rama, duke shembur Teatrin Kombëtar.

REAGIMI I PLOTE

LSI nuk ka asnjë qëndrim të ndryshëm nga qëndrimi që ka bërë të njohur në emër të Opozitës së Bashkuar kryetari i PD-së zoti Lulzim Basha.

Përmbushja e të gjitha detyrimeve ndaj reformës zgjedhore ka qenë dhe mbetet prioriteti im si Kryetare e LSI-së, ndaj do të vazhdoj të bëj të gjithë presionin e nevojshëm, që ajo të realizohet me konsensus dhe sa më parë, si kusht i rëndësishëm për të rikthyer legjitimitetin e vullnetit të qytetarëve shqiptarë.

Shembja e paligjshme e Teatrit Kombëtar dhe përdorimi i dhunës policore mbi artistët, mbi gazetarët, mbi veprimtarët e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e opozitës, është provokimi i rradhës së Edi Ramës ndaj opozitës dhe qytetarëve shqiptarë, i cili edhe në sallën e Kuvendit vazhdoi me të njejtën gjuhë fyese dhe provokative, për të na detyruar të largohemi nga tryeza e reformës zgjedhore.

Por pavarësisht dhunës policore, pavarësisht gjuhës fyese, provokuese dhe urrejtjes së Edi Ramës, e ritheksoj edhe një herë se ne jemi të vendosur të realizojmë reformën zgjedhore dhe largimin përfundimtar të tij nga pushteti, si kusht për rikthimin e demokracisë në vend.