Deklaratat e Dvoranit/ Presidenca: Nuk presim reflektim nga dhunuesi i ligjit

Lidhur me deklaratat e bëra për Presidentin e Republikës, pas marrjes në pyetje në Prokurorinë e Tiranës të kreut të KED, Ardian Dvorani, ku u shpreh se funksionarët publik nuk është mirë ti shtrojnë çështjet me filma artistikë, por në rrugë institucionale ka ardhur reagimi nga Presidenca.

Zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi është shprehur se institucioni i Presidentit do të vijojë të bashkëpunojë me organin e akuzës për të vendosur drejtësinë në vend.

Gjithashtu Blushi u shpreh referuar kreut të KED, se nga një dhunues me dashje i Kushtetutës dhe i ligjit, i mirëdokumentuar, i provuar dhe përsëritës në shkeljen e tyre, nuk pritet asnjë reflektim publik.

“Nga një dhunues me dashje i Kushtetutës dhe i ligjit, i mirëdokumentuar, i provuar dhe përsëritës në shkeljen e tyre, nuk presim asnjë reflektim publik.

Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me organin e akuzës për të vendosur drejtësinë në vend.

Ky proces do të jetë i hapur dhe transparent për opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar, për të ndaluar kapjen totale të institucioneve të drejtësisë, përmes kapjes së Gjykatës Kushtetuese, institucionit më të rëndësishëm që garanton funksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë,”-përfundon reagimi i Zëdhënësit të Presidentit Meta.

Më 19 nëntor, Presidenti Meta firmosi kallëzimin penal ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani, të cilin ai e akuzon për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore. Përplasja e Presidentit dhe kreut të KED erdhi pas procesit të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Metës , KED është përpjekur ti marrë atij kompetencën për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duke i dërguar njëherësh dy lista me kandidatë, pa respektuar sipas tij radhën e parashikuar në Kushtetutë.

Nga ana e tij Dvorani ka mohuar akuzat dhe ka thënë se Presidenti po ushtron një të drejtë që Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo. Ditën e djeshme u paraqit në prokurori ku u pyet për këtë çështje për rreth një orë.