Dekretet e Presidentit, Rama nxjerr mesazhet e socialistëve kundër Metës

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar në rrjetin social ‘Facebook’, ku ka shpërndarë disa mesazhe nga podiumi të deputetëve socialistë lidhur me dekretet e Metës.

Ai ka qenë i pranishëm ditën e sotme në Samitin e Vishegradit, në Pragë, mirëpo nuk ka reshtur së postuari disa fjalime apo mesazhe të të vetëve.

Një pjesë e mesazheve të dhëna sot nga ministrat e PS dhe të shpërndara nga Rama:

“Koha rekord me të cilën Ilir Meta shqyrtoi, analizoi dhe vendosi për t’i kthyer ligjet në Kuvend flet për qëllimin e vërtetë të Ilir Metës. Katrahurën me dekrete e zhdekrete e bën për të plotësuar dështimin e miqve të tij të luftës dhe që ngushëllimin e gjejnë tek Presidenca”, tha Spiropali.

“Ligji për partneritetin publik privat. Ndryshimet e miratuara në ligj janë të konsultuara me FMN, Bankën Botërore dhe SIGMA. Ato e përafrojnë ligjin me standardin ndërkombëtar, heqin në sektorin e transportit rrugor mundësinë e ofertës së pakërkuar dhe përmirësojnë rolin e Ministrisë së Financave”, theksoi Ahmetaj.

“Ligji për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit. Ky ligj siguron zhvillimin e qëndrueshëm të territorit. Projektligji i miratuar në korrik të këtij viti solli ndryshime cilësore dhe përmirësime te ligjit ekzistues për zhvillimin e territorit”, u shpreh Gjylameti.

“Ligji për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit. Nuk çuditem nga kthimi i këtij ligji, pasi Ilir Meta ka kthyer 9 ligje në Kuvend. Presidenti e refuzon ligjin, thjesht e vetëm sepse ky ligj vjen nga kjo mazhorancë”, deklaroi Xhaçka.

“Ligji për Qeverisjen Vendore dhe kthimi i pakuptimtë që i bëri Ilir Meta”, tha Fino.

Gjithashtu, Rama komenton edhe vendimin e mazhorancës për të rrëzuar kandidaturën e Ilir Metës për në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Petraq Milo. Lidhur me këtë, Rama shpërndan fjalën e kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili tha nga foltorja e Kuvendit se duhet zgjidhur ngërçi i krijuar për shkak të propozimit të kandidaturave të papërshtatshme nga Meta për në krye të KLSH.

“Dekreti për propozimin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Votojmë kundër kandidaturën e propozuar nga Ilir Meta, me arsye tërësisht të qëndrueshme. Dua të theksoj domosdoshmërinë e zgjidhjes së këtij ngërçi të krijuar për shkak të propozimit të kandidaturave të papërshtatshme, nga ana e Ilir Metës. Kam dakordësinë edhe të grupeve të tjera për nevojën e diskutimit më të thellë për këtë çështje”, tha Balla.