Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga vrasja e oficerit Saimir Hoxha.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se autori Aldi Rama ka pasur me vete dy krëhëra pistolete, njërin prej të cilëve e kishte hedhur në vendngjarje pasi qëlloi 44-vjeçarin Hoxha. Krëhëri tjetër u gjet në vendin ku 21-vjeçari Rama qëlloi veten.
Sipas grupit hetimor, fillimisht Rama ka qëlluar ndaj efektivit nga sendilja e pasme e mjetit, plumb i cili e ka kapur në qafë. Më pas ka dalë nga makina për tu ulur në vendin e shoferit dhe aty e ka qëlluar me një plumb në bark duke i përshkruar pranë zemrës. Në vendngjarje u gjetën 8 gëzhoja të qitura nga pistoleta TT e autorit dhe 7 të tjera të qitura nga dy efektivët e tjerë, kolegë të Saimir Hoxhës. E gjithë ngjarja ka ndodhur 500 metra nga parcela ku efektivët kishin asgjësuar 110 rrënjë kanabis. Mostrat e lëndës narkotike u gjetën në makinën e policisë.
Ndërkohë në dëshminë e tyre para policisë, Armando Marku dhe Kristian Sheri, shokët e Aldi Ramës të cilët ishin në makinë me të kur ndodhi ngjarja, kanë rrëfyer se në vendin ku i gjeti policia, ata kishin shkuar për të pirë hashash dhe se kur efektivët ishin afruar për kontroll, ata kishin konsumuar një cigare. Armando Marku dhe Kristian Sheri pritet të dalin ditën e nesërme para gjykatës.
Nënkomisari Saimir Hoxha dhe kolegët e tij kishin shkuar për të asgjësuar një parcelë me kanabis, pas informacioneve se në lagunën e Kune-Vainit ishin mbjellë bimë të lëndës narkotike.

