Dënimi me gjobë nga Gjykata, ish-deputetja e PD zbulon si është e vërteta

Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi me 1 milionë lekë gjobë për shpifje, për deklaratat ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Vokshi e cilëson “absurd” vendimin e dhënë nga gjyqtarja Migena Laska dhe u shpreh se nuk u bë asnjë hetim lidhur me denoncimin e saj se Veliaj, në shkelje të ligjit, po mblidhte të dhënat personale të prindërve nga kopshtet dhe çerdhet me synim përdorimin e tyre në fushatë elektorale. Ajo paralajmëroi ankimim të vendimit.

“Disa muaj më parë Partia Demorkatike publikoi dokumenta zyrtarë për të treguar se Erion Veliaj, në shkelje të ligjit, po mblidhte të dhënat personale të prindërve nga kopshtet dhe çerdhet me synim përdorimin e tyre në fushatë elektorale. Pa bërë asnjë hetim për këtë, në shkelje të çdo procedure të drejtë dhe të paanshme, gjyqtarja Migena Laska nuk i ka dhënë të drejtë mijëra prindërve që shprehin shqetësim për marrjen e paligjshme nga Bashkia e Tiranës të të dhënave të tyre personale, por, në mënyrë të padrejtë, i është nënshtruar pushtetit të Erion Veliajt. Është aq absurd ky vendim, saqë nga njëra anë më bën me faj pse kam denoncuar aktivitetin e paligjshëm të Erion Velisë, nga ana tjetër rrëzon kërkesën e tij që unë të bëj përgënjeshtrim. Unë jam e qetë, sepse e di që kam mbrojtur interesin publik dhe jam bërë zëri i mijëra prindërve, të dhunuar në të drejtat e tyre nga Kryetari mashtrues i Bashkisë se Tiranës. Në ketë betejë nuk kam për të bërë asnjë hap pas! As Erion Veliaj, as Edi Rama, as drejtësia e tyre e korruptuar apo e frikësuar deri në palcë me vetingun politik, nuk kanë për të më ndalur dhe nuk kanë për t’ia mbyllur gojën opozitës nga denoncimi i krimeve të pushtetit dhe akteve të tij korruptive”, thotë ajo.