Dështon sondazhi i Ministrisë së Arsimit, rezultatet ende nuk bëhen publike

studentet-protesta.jpg

Pak ditë pas mbylljes së sondazhit në të gjitha universitetit e vendit, Fax news ka kryer një vëzhgim në disa universitete publike të rretheve, se sa studentët e kanë plotësuar këtë sondazh, dhe sa kanë qenë në dijeni të qëllimeve të tij.

Sondazhi i organizuar nga Ministria e Arsimit, dhe një premtim i kryeministrit Rama, duket se nuk u është dërguar të gjithë studentëve, ndërsa një pjesë tjetër e të rinjve thonë se nuk e kanë plotësuar atë pasi nuk kanë besim që mund të ndryshojë gjendjen e tyre.

Të pyetur nga gazetarët e Fax News studentët tregojnë se nuk ka pasur asnjë pyetje individuale, dhe nuk kanë pasur hapësira të shprehen për lëndë apo pedagogë të caktuar.

“Thjesht e kam parë email-in, po nuk e kam plotësuar”, shprehet një prej studenteve në Universitetin e Gjirokastrës për gazetaren Ervina Shehaj, ndërsa shtojnë se kanë pasur ”angazhime të tjera”.

Studentët e ”Eqerem Cabejt” thonë se 100 pyetjet e Universitetit kanë qenë të përgjithshme, dhe nuk janë ndalur te problematikat e ngritura në protestat e dhjetorit.

Shumë prej të rinjve thonë se 100 pyetjet ju kanë marrë shumë kohë për t’u plotësuar, dhe kjo ka qenë një nga arsyet e hezitimit për t’u plotësuar.

“Deri në 20 minuta kohë kërkonte për t’u plotësuar”, shprehet një studente në Universitetin ”Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. ‘’Nuk kishim durim që ta plotësonim deri në fund”, tregon një tjetër studente në Elbasan për gazetaren e Fax News Entela Duka, ndërsa një numër shumë i madh thonë se nuk iu ka mbërritur asnjë email.

“Ishin 100 pyetje rreth shkollës dhe pedagogëve, më shtyu kurioziteti që t’i shkoja deri në fund”.

“Durim skam pasur, po më në fund ia arrita që t’i plotësoja”. ‘’Mungonin shumë pyetje”, tregon një tjetër studente në Elbasan.

Ndërkohë studentët e Universitetit ”Luigj Gurakuqi” në Shkodër janë edhe më të pakënaqur, duke thënë se qëllimi i tyre mbeten protestat, dhe se ky sondazh ishte larg perceptimit real të asaj që ndodh në fakultete. Studenti tregon për gazetaren Emi Kalaja se sondazhi i ministrisë pyeste për sallat e leximit dhe bibliotekat, ndërsa në universitetin e tyre nuk ka as laboratorë bazë.

‘’Kishte pyetje, a frekuentoni sallat e leximit, kur ne nuk kemi as laboratorë, dhe as mjete të tjera. Ishte shumë larg realitetit. Prej protestës studentore ka pasur vetëm një reflektim, vendosja e wiffi, asgjë tjetër”, shprehet një prej studentëve në Shkodër.

Shifra e studentëve që thuhet nga ASKAL që e kanë plotësuar sondazhin është 20% në rang kombëtar.

Një nga problematikat më të mëdha të ngritura dhe nga Rigers Xhemollari, i cili ishte në studion e Fax News së bashku me gazetaren Armela Ferko, është fakti se kanë munguar pyetjet specifike, dhe pyetjet janë shumë të përgjithshme. Sipas tij, pavarësisht se kanë kaluar gati 2 javë nga mbyllja e sondazhit, rezultatet ende nuk janë bërë publike në faqen e ASKAL.

Xhemollari thotë se nuk ka pasur asnjë përgjegjës për keqmenaxhimin e universiteve, ndërsa sondazhin e ministrisë e quan fasadën e radhës të qeverisë. Ai shtoi se ende sot nuk ka një dosje për pedagogët, që t’iu referohen ankesave të studentëve.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303