Detaje të reja nga grabitja në Tiranë! Vajza e biznesmenëve që u plagosën rrëfen ngjarjen

Çifti i biznesmenëve Petrit dhe Aferdita Laze që u plagosën mbrëmë me armë zjarri kanë dalë nga rreziku për jetën.

Gjendja e 61-vjeçarit që mori një plumb në bark, pas daljes nga ndërhyrja kirurgjikale është stabilizuar, po ashtu edhe e gruas së tij, që ka një plagë në kofshë nga të shtënat e njërit prej autorëve të grabitjes.

Ende nuk konfirmohet nëse autorët kanë marrë lekë në banesën e çiftit, por dëshmia e vajzës ka hedhur më shumë dritë për të shkuar në gjurmët e grabitësve.

Në dëshminë e saj para grupit hetimor, vajza e çiftit, që ka qenë e pranishme në shtëpi në momentin e grabitjes është shprehur se autorët ishin dy persona të maskuar dhe njëri prej tyre kishte armë.

“Ishin dy persona të maskuar dhe njëri kishte armë. Kishim planifikuar për të dalë jashtë Tiranës” është shprehur vajza ndër të tjera para grupit hetimor.

Policia dyshon se autorët janë të afërm ose fqinj të çiftit, pasi dinin lëvizjet dhe faktin që kishin planifikuar për të lëvizur nga banesa mbrëmjen e djeshme.

Një tjetër detaj që përforcon këtë pistë është edhe fakti që autorët kanë shkuar direkt në dhomën ku dyshohet se çifti mbante lekët.

Policia vijon kërkimet, por deri tani nuk ka asnjë të arrestuar.

Dyshimet janë se autorët që kanë vepruar kanë qenë tre, dy u futën brenda për të grabitur dhe i treti i priste jashtë me makinë për t’u larguar me shpejtësi.