Detaje të reja nga sherri i dhunshëm te Ekonomiku, tre të rinj në spital

Disa detaje të reja janë zbardhur nga sherri i dhunshëm mes disa djemve tek Qyteti Studenti që ndodhi ditën e djeshme në auditoret e Ekonomikut.

Raportohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:20, në ish-menzën e Qytetit Studenti, ku viti i tretë i Financës po zhvillonte leksion.

Dy djem të cilët nuk njiheshin janë futur në leksion, pikërisht në sallën ku po zhvillonte mësim grupi F 313.

Pedagogia që po jepte leksion në ato momente, duke mos i njohur që nuk ishin studentë të grupit, i ka pranuar në mësim.

Ata kanë nisur të ngacmojnë dy vajza nga auditori dhe menjëherë kanë ndërhyrë djemtë e grupit, duke i përzënë.

Më pas kur ka mbaruar mësimi, studentët kanë dalë jashtë për t’u larguar nga ish-menza, por janë konfrontuar me dy djemtë, të cilët kishin thirrur për mbështetje edhe shokët e tyre.

Si pasojë tre të rinjtë kanë përfunduar në spital Ushtarak, ku po marrin mjekim për plagët që i janë shkaktuar.

Sakaq, bëhet me dije se sherri ka ndodhur për motive banale.