fbpx

Detajet/ Ekzekutimi i 25-vjeçarit, ja pistat ku po hetohet

Mëngjesin e djeshëm një ngjarje tragjike tronditi Vlorën, ku një 25-vjeçar u ekzekutua me 5 plumba kallashnikovi, shumë pranë banesës së tij. Por vetëm pak orë pas vrasjes misterioze, policia arriti të gjente të djegur një automjet tip BMË me targa greke, i cili ishte shkrumbuar, ndërsa brenda tij gjendej edhe një armë automatike, që dyshohet se është përdorur për krimin.

I riu që u ekzekutua kishte vetëm 3 muaj që kishte ardhur nga Belgjika dhe kjo duket se përbën edhe pistën e parë të hetimit të policisë, për të parë nëse viktima ishte përfshirë ose jo në aktivitete kriminale në vendin europian.

Pista e dytë, mbetet ajo e konflikteve të mëparshme, pasi viktima para disa vitesh është arrestuar për narkotikë.

Ditën e djeshme, i ndjeri është përcjellë për në banesën e fundit, ndërsa policia ka pyetur familjarë dhe të njohur apo miq të viktimës.

Pas krimit u shoqëruan rreth 14 persona, me cilësinë e personave që mund të kishin dijeni mbi ngjarjen, apo detaje që mund të çojnë në zbardhjen e krimit.

Sipas disa dëshmive të mbledhura nga policia, i riu nuk punonte, por nuk ishte as person problematik, të paktën sipas pohimeve të fqinjëve të viktimës.