fbpx

Detajet, si u vodhën 250 mln lekë nga “Range Rover-i” i biznesmenit në Tiranë

Policia arrestoi dje Donald Hoxhajn dhe Gentian Kanen pasi akuzohen se vodhën 250 milion lekë nga makina e biznesmenit Flamur Behi në Qendrën Tregtare “Kristal” në Tiranë duke mundur që të dalin më pas prej aty pa u pikasur nga punonjësit e sigurisë.

Siç mëson abcnews.al dy autorët e kishin ndjekur biznesmenin prej disa orësh pasi kishte dalë nga një qendër tjetër tregtare në kryeqytet. Behi ishte paraqitur në parkingun qendrës tregtare “Kristal” me makinën “Range Rover”, në bagazhin e të cilës kishte një çantë të mbushur plot me para.

Pasi dolën me bashkëshorten nga makina, ai shtypi pultin e mbylljes së makinës duke menduar se e kishte të sigurt atë. Por, nuk ndodhi kështu.

Donald Hoxhaj dhe Gentia Kane ndodheshin disa metra më tej dhe kishin aktivizuar një aparaturë të posaçme, e cila ndërhyn në sinjalin mes pultit në dorën e pronarit dhe sistemit të sigurisë që bën mbylljen e makinës duke krijuar përshtypjen e rremë se makina është mbyllur.

Ndërkohë që biznesmeni me bashkëshorten kishin hyrë në qendrën tregtare për të blerë një pajisje, Hoxhaj dhe Kane kishin hapur makinën duke marrë çantën e mbushur me para.

Siç raporton policia, ata u arrestuan më vonë pasi u identifikuan përmes kamerave të sigurisë duke bllokuar edhe të gjithë shumën e parave.

Por, si funksionon pajisja që i mundësoi dy hajdutëve të kishin akses tek makina luksoze e biznesmenit?

Ajo është një pajisje e thjesht elektronike që prodhohet jashtë dhe futet në Shqipëri përmes grupeve kriminale për qëllime të ngjashme siç ishte vjedhja e 250 milion lekëve nga makina e biznesmenit shqiptar.

Vjedhja të ngjashme përmes bllokimit të valëve kanë ndodhur edhe në vende si Britania e Madhe, Holanda, Franca apo Belgjika, ku pronarë të makinave luksoze kanë raportuar vjedhjen e mjetit të tyre pa asnjë thyerje.

Në momentin që pronari del nga makina dhe shtyp pultin për mbylljen e makinës, pajisja imiton sinjalin e makinës duke ndërhyrë mes pultit dhe vetë automjetit, gjë e cila e bën pronarin të besojë se e ka mbyllur automjetin e tij. Në fakt, automjeti nuk është mbyllur dhe hajdutët mund të bëjnë çtë duan me të duke marrë atë apo duke vjedhur çfarë gjendet brenda automjetit.

Pikërisht këtë kanë bërë dy të arrestuarit e djeshëm. Vjedhje të ngjashme kanë ndodhur shpesh një vit më parë edhe në parkingun e një qendre tjetër tregtare në Tiranë.

Por si ndodh kjo vjedhje? Ekspertët kanë konstatuar se vjedhja e makinave të luksit me këtë metodë të avancuar është bërë e zakonshme në Angli dhe për këtë nevojitet një aparat i veçantë që bën lidhjen e makinës me çelsat që pronari ka në shtëpi.

Aparati ndërhyn në frekuencat e makinës dhe çelsave që gjenden në shtëpi duke bërë që makina të kuptojë sikur pronari po e hap. Makina hapet automatikisht duke bërë që hajdutet të mos kenë asgjë tjetër për të bërë veç se ta ngasin dhe të ikin. /abcnews