fbpx

“Dhjetori i Dytë” i Berishës….pa studentët!!!

berisha.jpg

Sot shënohet përvjetori i   28-të i protestave studentore të vitit ’90 që sollën rënien e regjimit komunist në Shqipëri. Partia Demokratike e ka kujtuar këtë ditë me një ceremoni në Qytetin Studenti, ku të pranishëm ishin përfaqësues të kësaj force politike dhe të forumit të saj rinor.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij në nder të 8 Dhjetorit të 1990, Ditës së Rinisë, kujtoi momente të atyre ditëve. Por nuk mund të mungonin edhe komentet për një tjetër protestë masive që po ndodh prej 4 ditësh në Tiranë, dhe e shtrirë edhe në disa qytete të Shqipërisë. Ajo e studentëve për të kërkuar të drejtat e tyre, buxhet më të lartë për arsimit dhe ulje të tarifave. Berisha e quajti këtë protestë “Dhjetori i dytë”.

“Për mua janë ditët ku unë përjetova mrekullinë më të madhe të jetës sime sepse, ato ditë unë do të kisha përballë, një grup studentësh 500 por edhe 1000 që në rrugën afër rrugës së Elbasanit ishin pozicionuar përball autoblindave tankeve, të gjitha llojeve të armëve. Ishin të vetmuar, 15-16 qytetarë ishin afër tyre, por ishin të pamposhtur ishin heronj. Të dashur studentë dhe studente prej katër ditësh kemi një Dhjetor të dytë. Si asnjëherë tjetër universitete e vendit kanë nisur një betejë të vendosur kundër një regjimi që quhet kakistokraci, nga greqishtja më i keqi i të këqijve dhe ky regjim është i Edi Ramës. Ky regjim ka përqendruar në dorë të gjitha pushtetet. Ky regjim ka varfëruar e largon shqiptarët nga Shqipëria njëlloj si ‘91 sepse ka vrarë shpresën, në çdo sheshë, rrugë, vatër qelizë të shoqërisë shqiptare. Studentët po ngjallin shpresat e shqiptarëve dhe unë duke u shprehur atyre të gjithë mbështetjen, duke u bërë thirrje shqiptarëve t’i mbështesin me gjithë fuqinë e tyre, iu bëj thirrje të mos dëgjoni ato manipulatoreë që ju kërkojnë t’ju shkëpusin nga shoqëria, Ata manipulatorë që duan tiu paraqesin ju se po protestoni për një gjobë apo për një tjetër. Po ju rikujtoj vetëm një fjalë. Në takim me Ramiz Alinë, ky burrë këtu do thoshte nuk jam këtu për një çaj më shumë dhe sonte jeni në protestë, protestoni, për prindërit tuaj, nënat tuaja, vëllezërit tuaj, motrat tuaja, interesat e tyre, interesat e shoqërisë shqiptare, ju protestoni për ato motive që protestuan ato studentë në vitin’ 90: Drejtësi sociale drejtësi sociale, drejtësi sociale”, tha ish-lideri demokrat.

Por në këtë dhjetor të dytë siç ish-kryeministri e quan, nuk ishin fare të pranishëm studentë. Prej ditësh ata i kanë bërë “bllokadë” politikës, që të mos përfshihet në revoltën e tyre, e cila duhet theksuar se për numrin e madh të përfaqësisë dhe thirrjeve vetëm për një kauzë, i kishte munguar vendit prej vitesh. Të pranishëm në ceremoninë tek “Qytet Studenti” ishin të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe përfaqësues politik të kësaj force, ndërsa studentët siç kishin lajmëruar edhe më herët, u gjendën edhe këtë të shtunë në protestë para Ministrisë së Arsimit.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *