Disa mënyra të thjeshta për të lehtësuar simptomat e çrregullimit të stresit posttraumatik

Përkufizimi i vërtetë i çrregullimit të stresit posttraumatik është: përjetimi negativ që ndodh si pasojë e një përvoje jo të këndshme dhe që e limiton personin që të jetojë normalisht. Bëhet fjalë për ndjenjat, si: frika, dyshimi, pasiguria, shqetësimi, meraku, paniku, shmangia, zemërimi, armiqësia, vigjilenca e tepruar, mërzitja, shpërqendrimi, urrejtja ndaj vetes, braktisja, acarimi, trishtimi, frustrimi, mllefi, cinizmi, turpi, padukshmëria, paaftësia për t’u shprehur, pafuqia, dobësia, mosbesimi, mungesa e sigurisë dhe vetëvlerësimit.

Një nga mënyrat më të mira për t’u shëruar nga ÇSPT-ja (Çrregullimi i stresit posttraumatik )  është krijimi i përvojave të reja pozitive, të cilat do të shërbejnë si pika referimi në jetë. Sa më shumë të tilla të përjetoni, aq më shumë shanse keni për të larguar ÇSPT-në. Çdo përvojë pozitive i ngjason një bime gati për të çelur në mes të një kopshti të pushtuar nga barërat e këqija.

Nuk është e thënë që këto përvoja të jenë të mëdha, as të rrezikshme. Madje nuk kanë pse të bëhen as për sytë e të tjerëve. Ndonjëherë mjafton vetëm një shëtitje në qetësi për t’u ndier mirë mendërisht.

Është thjesht çështje perceptimi individual. Edhe ngjarjet më të parëndësishme për sytë e të tjerëve mund të jenë domethënëse për ju. Mbani shënim të gjitha përvojat e reja dhe mënyrën se si ju kanë bërë të ndiheni. Për shembull, kur dolët shëtitje, a patë zogj? Si ishte koha? Në cilën anë të horizontit ndodhej dielli? Çfarë ndikimi pati te ju? Të gjitha detajet kanë rëndësi. E rëndësishme është që të jetoni çastin.

Ose përpiquni që të plotësoni një pazëll. Duke transformuar pirgun e madh të copëzave të tij në tablo, ju arrini të kuptoni që edhe nga kaosi mund të vendoset rregull. Provoni të pikturoni, skiconi ose vizatoni. Këto lloj ushtrimesh ju ndihmojnë të përqendroheni tek e tashmja, duke iu kushtuar rëndësi detajeve të bukura që hasim përreth. Efekti purgativ i aktiviteteve artistike është mjaft i fuqishëm.

Gjithashtu, mund t’i telefononi një miku që keni vite pa e takuar dhe ta ftoni për drekë. Kjo do t’ju ndihmojë që të rilidheni me personalitetin tuaj. Ose adoptoni një kafshë shtëpiake dhe çdo ditë ka për t’u mbushur me dashuri. Një alternativë tjetër është zgjedhja e një kursi. Guxoni që të provoni një fushë në të cilën nuk e keni menduar kurrë veten ose për të cilën keni ëndërruar gjithmonë. Mësoni një gjuhë të re. Shkoni me pushime. Ose më mirë akoma, krijoni kopshtin tuaj.

Cilado qoftë zgjedhja juaj, mos harroni të mbani një ditar ku të shënoni të gjitha eksperiencat pozitive. Kjo do t’ju ndihmojë që të vetëdijesoheni për të gjitha të mirat që ju ofron jeta atëherë kur ju nuk e prisni, dhe të largoni nga ndërgjegjja të gjitha përvojat negative. Shpirti më thotë gjithmonë se ky është një ushtrim që do t’i shkulë një nga një të gjitha barërat e këqija në kopshtin e mendjes suaj. Dhe ka shumë të drejtë.

Vuajtja emocionale, në të tashmen ose të shkuarën, me siguri që ju ka tronditur dhe ka ndryshuar perceptimin tuaj ndaj botës. Ndonjëherë, përjetojmë të njëjtat kujtime dhe emocione të nxitura prej tyre, pa e ditur arsyen.

Kur krijoni pika të reja kontakti, konstruktive për veten, dhe ndërgjegjësoheni për efektin pozitiv që ato kanë në shëndetin mendor, e mësoni trurin që të mbështetet në këto frekuenca sa herë që ta lypë nevoja. Nëse jeta juaj merr një kthesë të çuditshme, do të keni mundësi të ktheheni gjithmonë në këtë stacion, për të aktivizuar ato ndjesi pozitive që keni përjetuar njëherë. Pak a shumë si një emision i regjistruar, të cilin mund ta shikoni sa herë të doni.

Gjatë procesit të shërimit nga ÇSPT-ja, imagjinojeni veten si një pemë e shpërngulur. Shkulja me gjithë rrënjë i ka shkaktuar tronditje të mëdha, por sapo të mbillet në një tokë të re dhe të plehëruar, pemës nuk i ngelet gjë tjetër përveçse të harrojë tronditjen, të mësohet me ndryshimin dhe të rigjenerohet.

Po ashtu, edhe juve do t’ju duhen tre ose katër muaj për të rimarrë veten nga simptomat e ÇSPT-së.

Sikurse fidanishtet i ofrojnë pemës mineralet e nevojshme, edhe ju mund ta ushqeni sistemin nervor qendror, funksionin konjitiv, zemrën dhe shpirtin me ushqyesit e nevojshëm (ushqimet dhe suplementet kurative), që do të gjeni në këtë kapitull.

Kurimi nga ÇSPT-ja kërkon patjetër mbështetjen e njerëzve të dashur, kohë, durim dhe një regjim ushqimor të balancuar. Në pjesën e katërt, “Si të shërohemi plotësisht”, do të gjeni informacion më të zgjeruar.

Edhe lutja, në çfarëdolloj forme qoftë, është një mjet tjetër kurativ.  Për të qetësuar dhimbjet e shpirtit të shkaktuara nga trauma, provoni meditimin . Ato mund të kenë ndikim në psikikën tuaj, duke ju lejuar të gjeni sërish veten dhe të rifitoni besimin.