Diskutohen dekretet për ministrat, tensione në Kuvend

Seanca plenare për shqyrtimin e dekreteve të Presidentit për shkarkimin dhe emërimin e ministrave të rinj është zhvilluar me tensione dhe debate të ashpra. Opozita ka kërkuar kohë për të diskutuar për këto dekrete, ndërsa mazhoranca ka deklaruar se nuk mund të ketë diskutime pasi nuk e përcakton Kushtetuta, duke kërkuar respektimin e rendit të ditës.

Ishte kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, që parashtroi kërkesën në emër të opozitës. “Nuk kemi bërë kërkesë për mënyrën e votimit por që shqyrtimi i dekreteve të Presidentit për ministrat të bëhet me debat. Kemi depozituar emrat për diskutime”, tha ai.

Ndërkohë që kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, tha se “Po prisnim të njoftonit listën e diskutantëve sipas rregullores. Në përmbushje dhe të procedurave kërkoj dhe dua të di arsyet se përse nuk u njoftua nga ana juaj në përputhje me rregulloren për këtë pikë”.

Ndërkohë që në reagimin e tij, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla e kundërshtoi kërkesën e opozitës.

“Në procedurë 27 vite parlamentare kur dikush ngre një shqetësim për procedurë, procedura ka një diskutim pro dhe një diskutim kundër.

Të kur çohemi këtu në emër të rregullores duhet që dikush të citojë një nen të rregullores. Thoni nenin e rregullores.

Ka nen për emërim shkarkim të qeverisë kur bëhet për mocion mosbesimi. Jeni njoftuar dhe keni qenë dhe dje për urdhrin e thirrjes së seancës dhe keni pasur mundësi. Kjo nuk është seancë e jashtëzakonshme është sesion i jashtëzakonshëm. Kryeministri i është drejtuar Kuvendit. Në bazë të këtij sesioni të jashtëzakonshëm ku kryeministri ka kërkuar votimin e dekreteve, autoriteti i vetëm, kryetari i Kuvendit ka thirrur seancën me këtë rend dite, votim i dekreteve. Debat kur të doni si ta doni, bëni kërkesë me mocion, por ne kohë për të humbur me ju me llogje pazari sa herë t’iu teket ju nuk ua japim dot”, tha Balla.

Ndërkohë që pasi sqaroi precedentët e mëprashëm, kryetari i Kuvendit, Gramoz Rucci, hodhi në votim dekretet duke sjellë edhe acarimin e mazhorancës.

Lista me ndryshimet qeveritare

Ikën Arben Ahmetaj, vjen Anila Denaj

Ikën Damian Gjiknuri, vjen Belinda Balluku

Ikën Mirela Kumbaro, vjen Elva Margariti

Ikën Lindita Nikolla, vjen Besa Shahini

Ikën Sonila Qato, vjen  Eduard Shalsi

Ikën Niko Peleshi, vjen Bledi Çuçi

Ikën Senida Mesi, vjen Erion Braçe

Gjithashtu vjen edhe Elisa Spiropali si ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin.