fbpx

Dita e pestë e grevës në Francë, paralizohet transporti publik

Transporti publik mbetet një nga sektorët më të prekur nga greva për reformën e pensioneve që Franca përjeton prej 5 ditësh. Sindikatat kanë njoftuar manifestime të reja të martën ndërsa qeveria mbetet e vendosur për planin e saj.

Greva kombëtare kundër reformës së pensioneve në Francë hyri të hënën në ditën e pestë, dhe vazhdon të mbajë paralizuar jetën në vend.

Banorë dhe turistë të kryeqytetit e gjetën veten këtë fillim jave mes linjave të pezulluara të metrove dhe autobusëve, trafikut të rënduar dhe aktiviteteve të mbyllura që në këtë sezon festiv kanë prekur veçanërisht bizneset.

Greva po ndërlikon veprimtaritë e 10 milionë banorëve të tjerë të Parisit, edhe pse aksioni i grevistëve është i drejtë.  Sistemi i ri i pensioneve i propozuar nga presidenti Emmanuel Macron fut parimin e pikëve për ditë pune për të thjeshtuar sistemin aktual me 42 nënndarje.

Sindikatat druhen se në vitin 2025, reforma do të rritë artificialisht moshën e vjetërsisë në punë dhe do të shoqërohet me uljen e vlerës së pensionit.

Javën e kaluar, kundër reformës së pensioneve manifestuan nëpër Francë rreth 800 mijë qytetarë.

Demonstrata të tjera janë paralajmëruar për ditën e martë.

Të mërkurën kryeministri i vendit, Eduard Filipe, do të zbulojë detajet e fundit të reformës, por është shprehur se nuk do e tërheqë propozimin aktual.