“Ditët Letrare të Razmës”, Loer Kume fitues i çmimit “Kadare” 2019

“Ditët Letrare të Razmës”, të organizuara nga Instituti Europian “Pashko”, kanë kulmuar me dhënien e Çmimit “Kadare” 2019, në letërsi, ccmim ky i fituar nga Loer Kume.

Projekti i çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10 000 eurosh, ku përfshihen: Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe “Ditët Letrare të Razmës”.

“Me një përmbledhje me tregime, Kume ka parakaluar konkurrentët e tjerë për këtë çmim, duke i hapur udhë kështu një tjetër brezi shkrimtarësh. “Loer Kume, përfaqësues i një gjenerate të re shkrimtarësh, i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare, larg komercializmit dhe të zakonshmes në letërsi”.

Ky ishte motivacioni, me të cilin juria, e kryesuar nga Bashkim Hoxha në përbërje të së cilës janë shkrimtarët Mehmet Kraja, Genciana Abazi, Alda Bardhyli dhe Diana Kastrati, vlerësoi shkrimtarin. Pesë autorët që mbërritën deri në finale për çmimin e madh të letërsisë ishin, Ylljet Aliçka me romanin “Metamorfoza e një kryeqyteti”, Fate Velaj me romanin “Itaka”, Mimoza Hysa me “Bijat e gjeneralit”, Roland Gjoza me romanin “Te Deum” dhe Loer Kume me përmbledhje me tregime.