“Do futemi në grevë urie”. Naftëtarët e Ballshit ultimatum qeverisë, ja ç’i thonë

Prej ditësh tashmë, naftëtarët e rafinerisë së Ballshit vijojnë protestat ndërsa institucionet shtetërore kanë mbyllur sytë dhe veshët përballë krizës së tyre financiare pasi prej 6 muajsh nuk kanë marrë pagat.

Ata janë vendosur përballë derës së uzinës.

Një prej protestuesve ka deklaruar se problemi me pagat dhe kushtet e punonjësve kanë nisur që në vitin 2013 kur uzina i privatizua, ndërsa ka kërkuar vëmendjen e ministrisë së Energjetikës, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit Edi Rama, në të kundërt nëse nuk ka reagim, që prej ditës së sotme tha ai, do të futen në grevë urie.

“Ndodhemi përpara portës së uzinës duke marrë shkas edhe nga dinamika e ngjarjeve që kanë ndodhur, ka 6 muaj që nuk marrim rrogat. Nuk ka asnjë reagim, ne duam pagat e prapambetura dhe rifillimin sa më shpejt të punës. Jemi shkëputur nga puna prej pak ditësh, kemi kaluar me një pagë minimale për shkak të problemve të firmës, na kanë thënë se e gjithë pengesa është nga autoriteti i konkurrencës dhe disa firma që po pengojnë procedurat. Ne jemi punëtorë, nuk na interesojnë takimet e drejtuesve, ne jemi në krizë financiare. Nuk kemi marrë asnjë lloj reagimi apo zhvillimi nga pala e qeverisë apo firmës kontraktuese, siç po ndodh me punonjësit e nënstacionit elektrik në Poçem.

Në radhë të parë duhet të reagojë Ministria e Energjitikës, Gramoz Ruçi, Edi Rama. Prej privatizimit të 2013 është shkak e burokracive në interesa personale të disa personave. Kaluan deri në 2 vjet që kjo firmë pret mërrëdhëniet me punëtorët. Ai punëtor që punon në Ballsh është kryefamiljar, e vetmja e ardhur financiare për familjet. Të gjithë jemi me arsim profesional që kemi mbaruar shkollën për të punuar këtu. Ne do të lëvizim të gjithë gurët.

Sot nëse nuk do të marrim përgjigje do të futemi në grevë urie. Përderisa nuk kemi marrë asnjë përgjigje, vendimi ekstrem i yni është greva e urisë. Shpresoj të marrim një zgjidhje të shpejtë për këtë komunitet që është më i rregullti në Shqipëri në lidhje me taksimet që i bëjnë shtetit, ndaj edhe shteti duhet të jetë i vëmendshëm ndaj tyre. Jemi një komunitet prej 35 mijë banorësh siç është Mallakastra që varemi nga kjo uzinë. Nuk kemi pasur probleme më parë, që prej vitit 2013 kur u privatizua, kemi nisur të përballemi me probleme të tilla”, tha punëtori.