fbpx

DOKUMENTI/ Shtyhet fillimi i Superligës, Komiteti Ekzekutiv i FSHF pranon kërkesën e ekipeve: Mungon reagimi i qeverisë

Superliga Shqiptare do të vonojë startimin e saj për shkak të bojkotit të 9 ekipeve.

Komiteti Ekzekutiv i FSHF ka pranuar kërkesën e Ligës Profesionsite të Futbollit që të shtyhet data e fillimit të sezonit futbollistik.

Më tej në dokument thuhet se nuk ka më datë fillimi pasi është lënë shtyrja për një afat të pacaktuar. 9 prej ekipeve të Superligës Shqiptare paralajmëruar bojkotin pasi paraqitën disa kërkesa kryesisht financiare. Deri më tani nuk ka pasur asnjë mbledhje nga qeveria shqiptare që miratoi ligjin për sportin, por ekipet u shprehën të indinjuara për përmbajtjen e tij duke deklaruar se nuk zgjidhin problemet financiare të tyre.

Edhe në dokument theksohet se ky vendim është marrë në mungesë të një reagimi nga qeveria.

NJOFTIMI NGA FSHF

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar përmes një vendimi qarkullues kërkesën e Ligës Profesioniste të Futbollit për shtyrjen e kampionatit të Kategorisë Superiore 2020/2021 për një afat të pacaktuar.

“Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së më datë 10.09.2020, pasi u njoh me kërkesën e paraqitur nga Liga Profesioniste për shtyrjen e datës së fillimit të kampionatit të Kategorisë Superiore, sezoni 2020/2021 vendosi të miratojë kërkesën e Ligës Profesioniste të Futbollit për shtyrjen e datës së fillimit të sezonit futbollistik 2020/2021 me afat të pacaktuar. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, – shkruhet në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Kjo kërkesë e anëtarëve të Ligës Profesioniste të Futbollit vjen si pasojë e mungesës së një reagimi nga Qeveria shqiptare për kërkesat e paraqitura nga Liga nëpërmjet letrës dërguar më datë 10.08.2020 Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kuvendit të Shqipërisë.

Kujtojmë që vendimi për bojkotimin e Kategorisë Superiore u mor në unanimitet gjatë mbledhjen e Anëtarëve të Ligës Profesioniste të Futbollit të datës 05/09/2020.

Më poshtë edhe kërkesa e Ligës Profesioniste të Futbollit drejtuar KE-së së FSHF.