Donacionet për tërmetin, Oliver Varhelyi: Korrupsioni nuk do të tolerohet

Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi vlerëson Konferencën e Donatorëve për Shqipërinë të zhvilluar të hënën në Bruksel dhe shprehet me optimizëm të matur për hapjen e negociatave në mars.

Në një intervistë për DW, Varhelyi tha se do të jetë vetë BE që do të përfshihet në implementimin e fondeve të dhëna nga Konferenca e Donatorëve, ndërsa paralajmëroi se korrupsioni nuk do të tolerohet.

” Sigurisht implementimi do të jetë çelësi, parimet, për të cilët kemi rënë dakord me Bankën Botërore dhe me institucionet e tjera financiare duhet të respektohen. Kemi vendosur marrëdhënje të mira pune me qeverinë e Shqipërisë deri më tani, e do të sigurojmë që paratë të përdoren arsyeshëm. Do punojmë edhe që të aftësohet Shqipëria për përballimin e tërmeteve në të ardhmen. Tani na duhet t’i investojmë me mençuri këto para. E do t’i ndihmojmë Shqipërisë ta bëjë këtë. Korrupsion nuk do të ketë dhe nuk do të tolerohet. Ne do të jemi të përfshirë në implementimin dhe është shumë e qartë se ku janë nevojat më të mëdha, në sektorin e strehimit dhe ndërtesat publike. Aty do të fokusohemi edhe ne. Dhe sigurisht, që nëse do mundemi t’i modernizojmë këto rajone në Shqipëri, do ta bëjmë këtë. Por siç thashë, ne do të jemi shumë të përfshirë në implementimin e fondeve dhe do të sigurojmë që të gjitha parimet dhe rregullat tona të respektohen”, u shpreh Varhelyi për DW.

Sa i takon hapjes së negociatave, komisioneri u shpreh se nuk duhen ngatërruar çështja e integrimit me atë të ndihmave për të përballuar rindërimin pas tërmetit.

“Unë nuk do t’i bashkoja këto çështje, janë dy gjëra të ndara. Sot Shqipërisë i duhej ndihmë dhe ne e ndihmuam. Sa i përket procesit të zgjerimit, Shqipëria ka dhënë rezultate dhe ne jemi duke punuar me ata, por edhe me vendet e BE që të jemi të gatshëm ‘ti hapim negociatat e anëtarësimit. Por këto janë dy gjëra të ndryshme që nuk duhen përzier. Unë jam optimist, por i matur, kemi shumë punë përpara nesh dhe është shumë herët për të thënë diçka. Por çfarë mund të them është, se ne në Komisionin Europian jemi shumë të përkushtuar për të arritur këtë, Shqipëria po ashtu është gjithashtu shumë e angazhuar të arrijë rezultate. Unë kuptoj sinjale pozitive nga vendet anëtare, por sërish e them, ne duhet të punojmë shumë dhe fort!”, u shpreh komisioneri për zgjerim.