Donald Trump-i e shpall fenë hebraike kombësi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të nënshkruajë sot një urdhër kundërthënës, me të cilin feja hebraike, e njohur ndryshe edhe si jehudizëm, do të interpretohet edhe si kombësi, e jo vetëm si religjion.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se me këtë vendim synohet të luftohet antisemitizmi në universitetet amerikane.

Besohet se ky urdhër do t’ia mundësojë presidentit Trump marrjen e hapave shtesë në luftën kundër qëndrimeve anti-izraelite në kampuset universitare duke kërkuar nga universitetet që këto lëvizje t’i cilësojnë si deskriminuese.

Vendimi i presidentit do të ndikojë që universitetet ta zbatojnë Aktin e të Drejtave Civile të vitit 1964, me të cilin kërkohet nga institucionet arsimore që financohen nga shteti që të mos bëjnë diskriminim në bazë të prejardhjes kombëtare.

Sidoqoftë, fetë nuk janë të përfshira në këtë akt, prandaj administrata shtetërore do ta interpretojë hebraizmin si kombësi në mënyrë që të shqiptojë dënime të mundshme ndaj universiteteve për diskriminim.

Kështu, definicioni i antisemitizmit do të ndryshohet nga Departamenti i Shtetit, ndonëse fillimisht ishte hartuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit.

Ky urdhër erdhi vetëm disa ditë pasi disa grupe për mbrojtjen e të drejtave të çifutëve e kritikuan presidentit Trump për përdorim të stereotipeve antisemitike, shkruan “CNN”