fbpx

Dorëheqja e Valbona Sakos është e paligjshme, ja përse…

Bashkia e Durrësit është një prej qarqeve të vendit që ndodhet në Gjendje të Jashtëzakonshme për shkak të tërmetit të fuqishëm. Por, kryebashkiakja Valbona Sako dha dorëheqjen si kryetare e Bashkisë, pas një presioni ndaj saj në rrjetet sociale për një gafë që ajo bëri në media, e që u bë virale.

Sako, duke dashur të japë mesazhin se ky tërmet me këtë intensitet mund të kishte shënuar më shumë viktima tha se “jemi të kënaqur me 50 viktima…”.

Pas kësaj, ajo dha dorëheqjen, që në fakt nuk është bërë ende e ditur nëse u pranua apo jo nga Kryeministri Rama. Por Valbona Sako ka një pengesë ligjore për të dhënë dorëheqjen. Sepse në rastet kur njësia vendore që ajo drejton është një territor i vendosur në Gjendje të Jashtëzakonshme nuk i lejohet një vendimmarrje e tillë.

Ka vetëm një klauzolë, e cila e mundëson largimin. Ajo lidhet me shkarkimin nga kryeministri në rast se ka cënuar elementët e Gjendjes së Jashtëzakonshme dhe në asnjë rast nuk mund të ndodhë largimi nga detyra me dëshirë, apo për motive që nuk kanë të bëjnë me situatën.

Sipas juristëve që janë ekspertë të fushës, në ligj parashikohet vetëm shkarkimi dhe jo dorëheqja ose pranimi i dorëheqjes. Edhe nëse ka arsye të forta për një dorëheqje, kjo duhet të ndodhë vetëm në rastin e kalimit të afatit të parë 30 ditor të Gjendjes së Jashtëzakonshme.

Ndërkohë, vetë kryeministri ende nuk ka deklaruar asnjë qëndrim për kryebashkiaken që dha dorëheqjen, duke lënë detyrën në një situatë katastrofike.

Ndërkohë, juristët thonë se ndaj Sakos mund të nisin edhe hetimet, sepse ka braktisur detyrën në një situatë të pazakontë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se si do veprohet fillimisht nga kryeministri Rama dhe më pas nga autoritetet e hetimit, shkruan shqip.

Tirana dhe Durrësi janë dy qarqe në të cilat është vendosur që prej datës 27 nëntor Gjendja e Jashtëzakonshme dhe për fat të keq në dy bashki të këtyre qarqeve drejtimi i pushtetit vendor bëhet nga nënkryetarë. Në rastin e Durrësit, Sao dha dorëheqjen, ndërsa në Vorë bashki në qarkun e Tiranës, i zgjedhuri Agim Kajmaku u shkarkua për shkak të problemeve të tij me formularin e Dekriminalizimit.