fbpx

“Dorezat janë në mungesë”, infermierja ngre alarmin: Janë 32 pacientë në Klinikën e Pulmologjisë

Një infermierë e quajtur Ariana ka bërë me dije se po kujdeset për mbi 30 pacientë me COVID-19 në Klinikën e Pulmologjisë në Prishtinë.

Ajo ka bërë me dije për Radio Evropa e Lirë se pacientët janë në oksigjenoterapi.

“Janë 31, 32 pacientë dhe për ta, për shembull gjatë një ndërrimi, duhet të kujdesen vetëm dy teknikë ose infermierë. Kjo është shumë e vështirë”, thotë Ariana për Radion Evropa e Lirë.

“Nëse ndërrimi i natës fillon të japë terapinë në orën 19:00, ajo nuk përfundon deri pas orës 2:00 të mëngjesit, derisa ka edhe raste që në vazhdimësi duhet t’iu qëndrosh pranë”, tregon Ariana.

“Dorezat janë në mungesë. Ato që i kemi ose janë numra të vegjël ose të mëdhenj dhe na pengojnë gjatë punës. Kemi [edhe] mungesë të manteleve mbrojtëse”, thotë ajo.

Për më tepër, thotë Ariana, stafi mbështetës që është zhvendosur nga klinikat e tjera në Pulmologji, nuk ka as ku t’i ndërrojë rrobat e të bëhet gati për të hyrë në klinikë.

“Ka raste kur teknikët vishen në veturat e tyre. Dhomat e mjekëve ose motrave (infermiereve) janë të mbyllura për ta”, thotë Ariana.