Dosjet e Skerdilaj Konomit në makinë/ Ndoja: Sot do të isha në…

Prokurori Arjan Ndoja, prej ditës së premte kur iu bë atentat në Shkozë të Durrësit, ndodhet në Spitalin e Durrësit.

Sipas “Panorama”, Ndoja ka hematoma në syrin e djathtë, është fashuar në pjesën e sipërme të trupit, por në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Përveç pranisë së familjarëve dhe miqve, Ndoja ruhet nga dy punonjës Policie të Komisariatit të Durrësit.

Prokurori nuk ka pranuar të japë detaje nga atentati, duke u shprehur se do të flasë për t’i sqaruar të gjitha keqkuptimet në një moment të dytë.

Para dy ditësh u tha se në makinën e tij u gjetën dosje gjyqtarit të vrarë, Skerdilajd Konomi dhe dosje të tjera të vjedhura në Prokurorinë e Durrësit, por Ndoja e mohon diçka të tillë.

Sa i përket atentatit, nuk mendoj se ka të bëjë me mua si Arian, ndoshta si prokuror po… Unë nuk mund të flas për këto detajet tani, ndaj do të flas në një moment të dytë për të sqaruar gjithçka rreth akuzave ndaj meje. Nëse materialet e gjetura në makinën time do të ishin të një rëndësie të veçantë, që me implikonin mua, sot unë nuk do të isha këtu, pasi do më kishin arrestuar”, tha shkurtimisht Ndoja.

Arian Ndoja vijon të jetë në kujdesin e mjekëve në repartin e Ortopedisë në Spitalin e Durrësit, së bashku me Aleksandër Lahon, që gjithashtu mbeti i plagosur në atentat. Ndërsa shoferi i tij, Andi Maloku, ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë.