Duka vendos përfundimisht për të ardhmen e Panuccit

440959_TS_21-11-18_4595737693_.jpg

Fitorja me Uellsin me rezultatin minimal 1-0 duket se i ka shpëtuar stolin teknikut të kombëtares shqiptare, Christian Panucci. Italiani ishte në vështirësi pas ndeshjes, pasi dukej shumë i emocionuar dhe në tension. 45-vjeçari nuk e dinte nëse do të vazhdonte të ishte në krye të kombëtares tonë.

“Procesi Sportiv” bën me dije se mes kreut të FSHF-së, Armand Duka dhe Christian Panuccit është zhvilluar një takim që ka vendosur dhe të ardhmen e trajnerit. Biseda është zhvilluar privatisht dhe duket se presidenti ka vendosur t’i besojë trajnerit aktual dhe për eliminatoret e kampionatit Europain. Një vendim i guximshëm nga numri një i institucionit më të lartë të futbollit në vendin tonë, pasi dihet që një dështim i mundshëm në eliminatoret e “Euro 2020” do të ulte shumë dhe kreditet e tij. Gjatë takimit bëhet me dije se trajneri është zbrapsur nga disa prej pikave të tij kyçe.

Italiani është shumë i kritikuar për zgjedhjet e tij teknike dhe taktike, ngecjen e rinovimit të kombëtares dhe marrëdhëniet me futbollistët. Ai nuk ka as dashamirësinë e tyre, e as simpatinë e tifozëve shqiptarë që e cilësojnë atë si një shkaktarët kryesorë të dështimit dhe rënies së ekipit tonë. Panucci ka bindjen se mund të ndryshojë diçka nga mekanizmat e skuadrës pavarësisht se i ka të gjithë kundër.

scroll to top