fbpx

Duke nisur nga e diela… veprimi që ndërmerr SHBA-ja ndaj TikTok

Platformat TikTok dhe WeChat do të ndalohen në tregjet amerikane të aplikacioneve nga dita e dielë, vetëm nëse presidenti Donald Trump pajtohet për ndonjë marrëveshje të minutës së fundit.

Departamenti amerikan i Tregtisë ka thënë se vendimi do t’ua ndalojë banorëve në SHBA shkarkimin e këtyre aplikacioneve.

“Me udhëzim të presidentit, ne kemi marrë vendim për të luftuar koleksionimin e dëmshëm të të dhënave personale të qytetarëve kinezë nga ana e Kinës”, ka thënë Sekretari i Departamentit të Tregtisë, Wilbur Ross.

Administrata Trump ka thënë se këto kompani kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe përmes tyre të dhënat mund të kalojnë te autoritetet kineze.

Mirëpo Kina dhe të dyja këto kompani mohojnë këto pretendime.

WeChat do të ndalohet në SHBA të dielën, mirëpo njerëzit do të mund të përdorin aplikacionin TikTok deri më 12 nëntor, kur do të mund të ndalohet plotësisht kjo platformë.

Nëse partneriteti i planifikuar në mes të kompanisë Oracle dhe kompanisë ByteDance, që drejton TikTok-un, zyrtarizohet dhe miratohet nga presidenti Trump, atëherë aplikacioni nuk do të ndalohet.

Ende nuk është bërë e qartë nëse Trump do ta miratojë marrëveshjen, mirëpo pritet që ta rishikojë atë para afatit të fundit të së dielës.

TikTok ka thënë se ka 100 milionë përdorues amerikanë dhe 700 milionë në gjithë globin.