Dy faktorët e dhimbshëm se pse ka kaq pak maturantë

Në shkollat e gjithë vendit këtë vit janë regjistruar 31 mijë e 800 maturantë më pak.

Arsyeja është se një pjesë e madhe e të rinjve janë larguar në emigrim bashkë me familjet, por sipas sociologëve ka rënë edhe dëshira për t’u arsimuar. Sociologët thonë se zgjidhja është të përmirësimi i kushteve ekonomike të familjeve shqiptare.

Këtë vit akademik janë regjistruar në gjimnazet e vendit 31.800 nxënës më pak krahasuar me një vit më parë.

Tkurrja e numrit të nxënësve në sistemin parauniversitar duhet të jetë një kambanë alarmi për qeverinë shqiptare pasi kjo lidhet me tkurrjen e numrit të të rinjve në një kohë të më vonë dhe me një rini të paarsimuar.

Sociologët e shpjegojnë këtë tkurrje me uljen e numrit të lindjeve, por edhe me emigracionin si dhe mungesën e dëshirës për arsim.

“Sigurisht lidhet me emigracioni pasi ikin ata vetë ose e gjithë familja për një jetë më të mirë”, u shpreh për TopChannel Entela Binjaku, sociologe.

Kjo rënie e numrit të nxënësve në shumë shkolla është pasuar me mbyllje te disa klasave, por sociologët thonë se duhet të ofrohen zgjidhje ashtu sikurse kanë bërë vende të tjera të zhvilluara që e kanë kaluar përpara nesh duke ndërhyrë me politika për ta frenuar.

“Të përmirësojë cilësinë e arsimit ,ku nxënësi të ketë dëshirë të frekuentojë dhe në fund të ketë një punë të sigurtë. Nga ana tjetër të rriten pagat, të rritet mirëqenia, ekonomia që prindi ta rrisë në vendin e tij fëmijë”, thotë Entela Binjaku.

Përveç INSTAT edhe OKB në një raport të fundit paralajmëroi se popullsia e Shqipërisë brenda një shekulli mund të rrudhet me 1 milionë banorë.

Lër një koment