fbpx

Dy tubime ditën e djeshme, procedohen 17 persona, detajet

Capture-8-770x428.jpg

Policia e Tiranës ka proceduar 17 persona, të cilët akuzohen si organizatorët e dy protestave që ndodhën dje.

Sipas policisë, tubimet kanë qenë të paligjshme, ndërsa shton se gjatë protestës iu ka bërë disa herë thirrje protestuesve të shpërndaheshin, si dhe të ruanin distancën në kuadër të masave kundër koronavirusit.

Njoftimi i policisë:

Policia e Tiranës shpërndau dy tubime të paligjshme të zhvilluara ditën e djeshme në rrugën “Abdi Toptani” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe procedoi 17 persona të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Gjatë zhvillimit të tubimeve, në të dy rastet, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimet, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tyre. Gjithashtu, gjatë thirrjeve Policia u ka kërkuar protestuesve që të mbajnë distancë sociale nga punonjësit e Policisë dhe nga njëri-tjetri, me qëllim parandalimin e infektimit me COVID-19.

Më pas, Policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 4 persona, si organizatorë të tubimit tek Ministria e Infrastrukturës dhe për 13 të tjerë, si organizatorë të tubimit tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente.

Materialet për këto ngjarje do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të 17 personave të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të respektojnë distancimin social dhe të përdorin mjetet mbrojtëse në vendet publike, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, ndërsa problematikën apo shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303