E ndërtuar me vezë. Xhamia e Allebejgisë

Diku në veri-lindje të Shqipërisë, ndodhet Dibra krenare. Mbahet si djepi i mendjes, dhe rjedhimisht edhe vatra e kulturës.

Të shkosh në Dibër gjen muslimanë, katolikë, ortodoksë dhe bektashinj të cilët jetojnë në harmoni të plotë me njëri tjetrin.

Përse e përmenda pjesën e fesë? Sepse sot dua të flas pikërisht për një objekt fetar, i cili njihet edhe si më i vjetri në Ballkan.

Xhamia e Allebejgisë. Ajo ndodhet në fshatin Burim të komunës së Maqellarës, që nga dibranët njihet si Allebejgi. (emrin ‘Burim’ e ka marrë për arsye se në këtë zonë kishte shumë burime uji. Ka qenë një nga zonat e vetme në Dibër, ku bujqësia kishte një zhvillim të dallueshëm. Dhe thuhet se në atë kohë, cdo arë kishte burimin e saj me të cilin vaditej). Por banorët e thërrasnin Allebejgi. Ky emër i ka mbetur edhe sot e kësaj dite.

Nga fshati e ka marrë emrin edhe xhamia e Allebejgisë, e cila  ndodhet në një fushë të hapur pranë këtij fshati. Ajo shtë ndërtuar në vitin 1578 dhe i takon tipologjisë së xhamive të vogla monumentale me kupolë, minare dhe hajat. Xhamija e Allajbegisë përbëhet nga salla e lutjeve në formë kubike e mbyllur me një kuve, minare. Përmasat e saj janë 6.4 me 6.28. Dera në anën veriore shërbente për të hyrë në sallën e lutjeve. Salla e lutjeve është mbuluar nga një kupolë në formë sferike. Në muret perëndimore, jugore dhe lindore janë vendosur nga tre dritare në dy rreshta, ndërsa në murin verior ndodhen vetëm në një rresht.

Është ndërtuar me gurë dhe beton. Por për mënyrën e ndërtimit ajo mbahet si një nga xhamitë më të veçanta, pasi thuhet se betoni për ndërtimin e saj, është bërë me çimento, ujë dhe vezë, çka e bën atë të patundshme kundër cdo dukurie natyrore. Ndoshta kjo është edhe një nga arsyet që ajo është akoma edhe sot, po aq e fortë. Ajo akoma vazhdon të përdoret për të kryer ritet fetare.

Mihrabi dhe gjurmë të mimbar janë gjetur në murin jugor të dhomës të ndërtuar me dru.

Ajo është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, në vitin 1970, por kujtojmë që ka nevojë për restaurim.

 

 

Lër një koment