E moshuara sëmuret në bord, kroçera bën ndalesë të detyruar në portin e Vlorës

Një kroçerë e cila po lundronte mbrëmjen e djeshme në afërsi të gadishullit të Karaburunit ka kërkuar asistencë mjekësore pasi një udhëtare e moshës 68-vjeçare ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Kroçera Costa Victoria ka ndaluar në radën e portit të Vlorës. Ambulanca e spitalit rajonal të qytetit është afruar në një distancë rreth 1 milje nga porti Detar Vlorë.

Më pas kapiteni i portit bashkë me personelin e ndihmës së shpejtë kanë shkuar në bordin e kroçerës për të marrë të sëmurën në barrelë, duke bërë të mundur transportimin e saj drejt spitalit.

Mësohet se tashmë ajo ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore nën kujdesin e mjekëve të spitalit të Vlorës.