E plotë/ Çfarë parashikon formula e propozuar nga opozita për KQZ

kqz-zguri-770x436-770x433.jpg

Me sa duket kemi një bllokim tjetër të bisedimeve në Këshillin Politik, këtë herë për emërimin e anëtarëve të tre trupave të KQZ. Opozita deklaron se Partia Socialiste kërkon të zgjedhë vetë të gjithë anëtarët, duke hequr çdo garanci për opozitën në nivelin më të lartë te administrimit të zgjedhjeve duke kapur kështu KQZ.

Por çfarë propozon sot opozita për emërimin e anëtarëve të KQZ?

Formula e propozuar për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ që ka propozuar sot opozita është e njëjta formulë e përzgjedhjes që është përdorur për organet e reja të sistemit të drejtësisë.

Sipas Bylykbashit, kjo formulë e prezantuar asokohe nga faktori ndërkombëtar, u pranua nga palët si zgjidhje për të ruajtur profesionalizimin dhe pavarësinë e institucioneve. Konkretisht, formula parashikon tre faza:

  1. a) Kontrolli i kritereve formale nga një institucion i pavarur kushtetues, si Avokati i Popullit.
  2. b) Zgjedhja nga një komisioni përzgjedhës i kandidatëve, me përbërje të balancuar, 3 maxhoranca dhe 2 opozita.
  3. c) Votimi i listës në bllok nga Kuvendi.

Sipas opozitës, PD ka pranuar formulën e re të kompozimit të KQZ, por duke ruajtur garancitë aktuale mbi balancimin e KQZ, kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve dhe mbi shumicën e konsensusale për vendimmarrjet e rëndësishme.

Aktualisht ligji parashikon që për disa çështje me rëndësi për zgjedhjet vendimmarrja është me shumicë të cilësuar, pra me konsensus midis mazhorancës dhe opozitës.

E PLOTË

Qëndrim i Opozitës mbi reflektimin në ligj të dakordësisë së arritur mbi çështjen e riformatimit të KQZ

  1. Në përputhje me pikën 2 dhe 3 të Dakordësisë së arritur në Këshillin Politik të datës 5 Qershor 2020, propozojmë këtë procedurë për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve:
  2. Avokati i Popullit shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për të gjitha pozicionet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në faqen zyrtare të internetit, si dhe në dy gazeta me tirazhin më të lartë në vend. Thirrja për paraqitjen e shprehjes së interesit përmban afatin, brenda të cilit duhet të dorëzohet shprehja e interesit, adresën postare ku duhet të dorëzohet dhe listën e dokumenteve që duhet të shoqërojnë atë.
  3. Afati për paraqitjen e kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues është 15 ditë. Në kërkesën që paraqet, kandidati përcakton vendin vakant, për të cilin është i interesuar të aplikojë. Në rast se kandidati nuk ka përcaktuar asnjë preferencë për vendin vakant, konsiderohet që ai aplikon për të gjithë vendet vakante.
  4. Kërkesa e kandidatit regjistrohet në regjistrin e protokollit të Avokatit të Popullit. Kandidati pajiset me një dokument që vërteton numrin e aplikimit, datën dhe listën e dokumenteve të paraqitura. Bashkëlidhur me kërkesën, kandidati dorëzon 2 kopje të dokumenteve të kërkuara që vërtetojnë përmbushjen e kritereve.
  5. Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, një komision i përbërë nga Avokati i Popullit dhe dy Komisioner të Avokatit të Popullit, përpilon një listë me kandidatët të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë këto kritere, si dhe ngre Komisionin Ad Hoc të Përzgjedhjes, që përbëhet nga:
  6. a) 3 përfaqësues të partive të shumicës parlamentare sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse;
  7. b) 2 përfaqësues të partive të pakicës parlamentare sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse.
  8. 3 ditë pas përpilimit të listës, Avokati i Popullit i përcjell dosjet dhe relacionin shpjegues të përmbushjes së kritereve për secili kandidat Komisionit Ad Hoc të Përzgjedhjes. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në mbledhjet e Komisionit Ad Hoc të Përzgjedhjes.
  9. Komisioni Ad Hoc i Përzgjedhjes pas zhvillimit të një seancë dëgjimore me kandidatët, mund të vendos të kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret formale tek lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale, me të paktën katër vota.
  10. Pas përfundimit të listës së kandidatëve që plotësojnë kriteret formale, Komisioni Ad Hoc i Përzgjedhjes ndjek procedurën e mëposhtme për zgjedhjen e kandidatëve:
  11. a) Nga lista e kandidateve qe kane aplikuar per Komisioner, zgjidhen me shumicë votash kater kandidatet me te mire. Keto kater kandidatura i kalohen dy anëtarëve të pakicës, ku secili prej tyre ka të drejtë të përjashtojë nga një kandidat. Me shumicë votash më pas, njëri nga dy kandidatët e mbetur në garë zgjidhet nga Komisioni Ad Hoc i Përzgjedhjes si Komisioner.
  12. b) Nga lista e kandidateve qe kane aplikuar per ZëvendësKomisioner, dy përfaqësuesit e pakicës përzgjedhin secili nga një kandidat. Zëvendëskomisioner zgjidhet një nga dy kandidatët që ka marrë shumicën e votave në Komisionin Ad Hoc.
  13. c) Nga lista e kandidateve qe kane aplikuar për Komisionin Rregullator, secili nga anëtarët e Komisionit Ad Hoc ka të drejtën të zgjedh një anëtar.
  14. d) Nga lista e kandidatëve që kanë aplikuar për Komisionin e Apelimit dhe Sanksioneve, secili anëtar i Komisionit Ad Hoc ka të drejtën të zgjedh një anëtar.
  15. Komisioni Ad Hoc i Përzgjehdjes përpilon listën finale të kandidatëve të zgjedhur për secilin pozicion dhe ia përcjell Avokatit të Popullit, i cili Brenda dy ditëve ia dërgon Kuvendit të Shqipërisë, sëbashku me dokumentet shoqëruese të aplikimit të secilit kandidat të zgjedhur dhe një Raporti të detajuar mbi procedurën e ndjekur.
  16. Komisioni përgjegjës parlamentar për cështjet ligjore, bën verifikimin e kandidatëve të përzgjedhur, nëse përmbushin kriteret e parashikuara nga ligji dhe i përcjell listën për miratim, shoqëruar me Raportin përkatës seancës plenare, brenda 10 ditëve nga momenti i marrjes së listës.
  17. Kryetari i Kuvendit, njofton datën dhe orën e mbledhjes së seancës plenare për votimin e anëtarëve të KQZ. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve në bllok me shumicë votash. Në rast se Kuvendi nuk e miraton listën e kandidatëve në bllok, sipas këtij paragrafi, Kryetari i Kuvendit ia kthen atë komisionit Ad Hoc të Përzgjedhjes pranë Avokatit të Popullit për përsëritjen e procesit të përzgjedhjes dhe dërgimin e një liste të dytë brenda 10 ditëve. Komisioni Ad Hoc i Përzgjedhjes zbaton të njëjtat rregulla të parashikuara në pikën 7. Kuvendi, brenda 10 ditëve nga dërgimi i listës së dytë, mund ta rrëzojë në bllok listën e kandidatëve me 3/5 e të gjithë anëtarëve të tij. Në rast se lista nuk rrëzohet, kandidatët e përzgjedhur konsiderohen të zgjedhur dhe vendimi i Kuvendit për miratimin e listës së kandidatëve të zgjedhur botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare. Në rast se lista e dytë rrëzohet nga Kuvendi, Avokati i Popullit rishpall njoftimin për shprehje interesi.
  18. Lidhur me kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve të KQZ, propozojmë që të ruhet kohëzgjatja e dakordësuar njëherë mes palëve politike në Shqipëri dhe që është aktualisht në fuqi, si më poshtë vijon:
  19. a) Komisioneri dhe Zëvendëskomisioneri të kenë mandat 4 vjeçar, me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë.
  20. b) Anëtarët e Rregullatorit dhe KAS të kenë mandat 6 vjeçar, me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë.

III. Lidhur me shumicën për vendimmarrje, secila palë duhet të ruajë garancitë aktuale dhe të mos zhbëhet një standart i arritur. Konkretisht, për vendimet që kanë impakt në zgjedhje dhe në rregullat e barabrata të garës elektorale, duhet të ruhet vendimmarrja me shumicë të cilësuar që është një garanci që ekziston aktualisht në Kodin Zgjedhor. Konkretisht, në Kodin Zgjedhor duhet të ruhet formulimi:

  1. Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 4 anëtarë të KQZ-së, sipas rastit të Rregullatorit apo të KAS, vendimet lidhur me:
  2. a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore;
  3. b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore;
  4. c) kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi;

ç) shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin dhe përsëritjen e tyre;

  1. d) aktet me karakter normativ dhe që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet;
  2. dh) propozimin për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së;
  3. e) miratimin e strukturës organike të KQZ-së, si dhe rregulloren e funksionimit të KQZ-së;

ë) caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore;

  1. f) caktimin e zonave të administrimit zgjedhor.

Vendimet e tjera miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303