Edhe SHBA ka kritika për NATO-n

Pas kritikave të presidentit francez, Emmanuel Macron, për funksionimin e NATO-s, edhe SHBA ka shprehur kritikat e saj.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, deklaroi ditën e sotme se NATO duhet të rritet dhe të ndryshojë përndryshe rrezikon të vjetërohet. Komentet e tij vijnë një ditë pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron dhënë revistës ‘The Economist’ se aleanca është në vdekje klinike, komente që u hodhën poshtë nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

Pompeo tha se aleanca është ndoshta një nga më të rëndësishmet “në të gjithë historinë e deritanishme”.

Pas fjalimit në Berlin, sekretari Pompeo iu përgjigj pyetjes nëse NATO-ja është e vjetëruar ose klinikisht e vdekur. Ai u përgjigj se pas 70 vjetësh, aleanca duhet të rritet dhe të ndryshojë, duhet të përballet me realitetet dhe sfidat e sotme.

“Nëse vendet e ndryshme besojnë se mund të marrin përfitimet që sjell siguria pa i siguruar NATO-s burimet që i duhen, nëse ato nuk i respektojnë angazhimet e tyre, ekziston rreziku që NATO-ja të bëhet e paefektshme ose e vjetëruar,” tha ai.