fbpx

“Ejani merrni fëmijët sepse…”. Mbyllet kopshti nr.3, zbulohet arsyeja

Një pjesëtare e stafit të kopshtit nr.3 në Fier është infektuar me COVID, dhe për këtë arsye është mbyllur kopshti si masë sigurie.

ISHSH në Fier i ka vënë drynin kopshtit në fjalë duke dërguar në shtëpi fëmijë, edukatore e gjithë personelin ndihmës, pasi një sanitare e tij ka rezultuar pozitive ndaj Covid-19.

Stafi i kopshtit, me drekë, ka njoftuar këtë të martë prindërit që të shkojnë e të marrin fëmijët e tyre, pas daljes së përgjigjes së tamponit të njëres prej sanitareve të kopshtit, e cila ka rezultuar pozitive ndaj virusit.

Menjëherë ka nisur hetimi epidemiologjik i rastit në fjalë, duke marrë të gjitha kontaktet e personit të prekur nga covid, ndërsa kjo e fundit është vetëkarantinuar. Fatmirësisht, deri më tani asnjë fëmijë apo pjestar tjetër i stafit nuk ka paraqitur simptoma të Covid, e kjo mbyllje e kopshtit, për një javë, është bërë si masë sigurie.

Ambientet e kopshtit janë dezinfektuar, dhe ky proces do të kryhet çdo ditë. Më parë në Fier u mbyll edhe çerdhja  Nr.4, ku një pjesëtare e stafit rezultoi me Covid. Kjo çerdhe do të rinis punën normalisht më datë 21 tetor, duke qenë se nuk ka pasur të tjerë persona të prekur nga virusi.