fbpx

Elon Musk “ndryshon” emrin e çuditshëm që i vendosi djalit të tij

Miliarderi Elon Musk, u bë sërish baba, duke mirëpritur fëmijën e tij të gjashtë. Ai e dha vetë lajmin e bukur në Twitter, ku ndau një foto me vogëlushin e porsalindur.

I pyetur në Twitter për emrin e të voglit, ai shkroi X Æ A-12.

Dikush mori mundimin të gjejë kuptimin e X Æ A-12, i cili në fakt rezultoi një emër shumë i veçantë. Sipas ndjekësit, Æ nga alfabeti i vendeve të Skandinavisë shqiptohet Ash, ndërsa A-12 i referohet një aeroplani të CIA, kod për Archangel. X mbetet ende një ekuacion i pazgjidhur!

Mirëpo, duket se ligjet në Kaliforni nuk e kanë pranuar një emër të tillë, ndaj Musk është detyruar t’ia ndryshojë paksa emrin të voglit.

Duke qenë se Kalifornia nuk lejon të regjistrosh një emër që përmban numra, CEO i Tesla-s vendosi që numrat në emrin e të voglit t’i zëvendësojë me numra romakë.

Pra, tashmë emri i bebit është X Æ A-Xii dhe këtë e ka konfirmuar vetë partnerja e Musk në Instagram.