Elozhe për Strakoshën nga Italia, siguri për të tashmen, parà në të ardhmen

Thomas Strakosha prej kohësh i ka bindur të gjithë. Porta e Lazios është në duar të sigurta dhe një gjë e tillë shpesh vlerësohet maksimalisht nga media të ndryshme në Itali. Kjo permformancë e shqiptarit ka bërë që të fitojë rolin e titullarit të padiskutueshëm te Lazio, por edhe në Kombëtare. Gjatë merkatos verore emri i tij u lakua shpesh si objektiv i klubeve më të madha.

Portali “sportnews.it” së fundmi i ka kushtuar një shkrim “gardianit” kuqezi. Strakosha cilësohet si i pazëvendësueshëm te bardhekaltrit dhe shpesh shpëtimtari i skuadrës falë pritjeve të tij. Më tej ky portal e kosinderon Strakoshën si njeriun që nuk humb asnjë minutë dhe statistikat flasin të gjitha në favor të 24-vjeçarit.

3.5 pritje vendimtare për çdo ndeshje, deri më tani ky konsiderohet si bilanci më i mirë për Strakoshën që prej momentit kur ai ka fituar rolin e titullarit. I vetmi problem që evidentohet te Strakosha, sipas këtij portali, mbetet fakti që “gardiani” kuqezi duhet të përmirësohet në lojën me këmbë.

Lazio ka në radhët e saj një portier cilësor, por që ndoshta në një të ardhme jo dhe aq të largët mund t’i sigurojë klubit të ardhura të majme, nëse vendos ta shesë.