fbpx

Emergjente/ PD i vë ultimatumin qeverisë: Çfarë po fshihni? Sa më shumë testime…

Partia Demokratike ka reaguar sërish sot në lidhje me situatën nga koronavirusi në vend.
Ish-deputeti demokrat, Bardh Spahia ka kërkuar nga qeveria bërjen e sa më shumë testeve.

Ai deklaron se kryeministri Edi Rama dhe ministrja Manastirliu nuk lënë rast pa dalë në televizor, por nuk kanë thënë asnjë fjalë sa teste kemi në dispozicion duke pyetur se çfarë fsheh qeveria.

DEKLARATA E PLOTË
Të dashur bashkëqytetarë,
Dy ditët e fundit konfirmuan se rritja e numrit të testimeve, zbulon më shumë të infektuar nga korona virusi. Partia Demokratike po e kërkon prej një muaji bërjen e testimeve masive duke nisur nga personat e afërt të kontaktit, mjekët, forcat e sigurisë dhe ata që janë në kontakt më qytetarët në qendrat e shërbimeve tregtare.
Testimi masiv është qëndrimi zyrtar që rekomandon Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe që mbështetet nga ekspertët e shëndetësisë. Testimi masiv na jep mundësinë të gjurmojmë rastet e dyshuara, të izolojmë virusin, ta trajtojmë në kohë dhe të shpëtojmë jetë.

Cili është qëndrimi i qeverisë? Për fat të keq, qeveria bën sikur nuk dëgjon. Edi Rama dhe ministrja e tij e shëndetësisë nuk lënë rast pa dalë në televizor, por nuk kanë thënë asnjë fjalë sa teste kemi në dispozicion.

Ne sot e dimë sa teste ka në dispozicion Kosova, sa ka Maqedonia e Veriut, sa kanë vendet e tjera të rajonit. Dimë me saktësi edhe të dhënat e vendeve të zhvilluara, por nuk dimë sa kapacitete testuese dhe sa teste ka Shqipëria. Në vend që ky informacion të jepej që në fillim dhe të përditësohet çdo ditë, ai po trajtohet si sekret shtetëror.

Çfarë fsheh qeveria? Pse nuk tregohet numri në dispozicion i testeve dhe pajisjeve që bëjnë të mundur zbulimin e virusit? A ka një strategji qeveria që me numrin e ulët të testimeve të mbajë artificialisht të ulët edhe numrin e qytetarëve të prekur nga virusi?

Nëse me numrin e ulët të testimeve po synohet fshehja e numrit real të personave të prekur, ky është një akt gjakftohtë kriminal. Nuk është koha që Edi Rama të përdorë jetët dhe shëndetin e shqiptarëve për politikë dhe as për eksperiment.

Të dashur bashkëqytetarë,
Kemi humbur shumë kohë me numrin e ulët të testimeve dhe çdo ditë që kalon mund të humbim mundësinë për të mbajtur nën kontroll infektimin e popullatës. Çdo ditë që kalon, do ta bënte më pas jo efektive rritjen e numrit të testeve.

Është emergjencë ndërprerja e zinxhirit të infektimit dhe se vetëm diagnostikimi i hershëm i qytetarëve të prekur është çelësi i suksesit për t’iu kthyer sa më parë jetës normale.

Partia Demokratike ripërsërit apelin për të rritur menjëherë numrin e testimeve. Gjurmimi i të gjitha kontakteve të personave të konfirmuar me COVID-19 dhe testimi i tyre, testimi i stafeve shëndetësore dhe punonjësve të tjerë që janë në kontakt të përditshëm me qytetarët, duhet të jetë prioritet.

Në këtë drejtim, pushteti vendor, së bashku me institucionet e shëndetit publik në zonë apo mjekët e familjes, duhet të përfshihen në këtë gjurmim, pasi janë shumë më afër qytetarëve dhe njohjet janë më të mëdha. Koha nuk pret. Është koha për testim masiv, në mënyrë që sakrifica e qytetarëve të mos shkojë dëm!