Ëngjëj apo djaj? Revista prestigjoze zbulon anën e errët të Victoria’s Secret

gettyimages-1059529086.jpg

Për dekada me radhë, Victoria’s Secret konsiderohej nga shumë gra si përkufizim i feminitetit. Katalogët dhe shfaqjet e modës së kompanisë ishin ndër më të përfolurit. Modelet të cilat quhen Angels (engjëj) fitonin një famë të rëndësishme ndërkombëtare. Mirëpo një investigim i New York Times nxorri në pah një anë të errët të kompanisë me bullizëm ndaj grave, përçmim, paragjykim dhe ngacmime seksuale. Investigimi i prestigjozes amerikane përfshiu intervista me më shumë se 30 drejtues aktualë të Victoria’s Secret, ish-punonjës, punonjës, partnerë, modele dhe dokumente gjyqësore.

Ed Razek, për dekada me radhë, ishte një nga drejtuesit më të lartë të L Brands, kompania mëmë e Victoria’s Secret. Ai ishte subjekt ankesash të përsëritura për sjellje të papërshtatshme; përpiqej të puthte modelet dhe u kërkonte t’i uleshin në prehër.

LESLIE WEXNER (M) DHE ED RAZEK (D)

Drejtuesit thanë se e kishin paralajmëruar Leslie Wexner, themeluesin dhe drejtorin ekzekutiv të L Brand, për sjelljen e papërshtatshme të zëvendësuesit të tij. Disa gra të cilat ishin ankuar, ishin përballur me hakmarrjen e tij. Andi Muise, një modele, u shpreh se u ndalua të merrte pjesë në shfaqjen e VS pasi kundërshtoi Ed Razek, i cili i kërkoi favore seksuale.

ANDI MUISE, 2007

Ed Razek është parë me skepticizëm edhe më parë, pas deklaratave fyese ku është shprehur se nuk do të marrë kurrë në shfaqje modele plus-size dhe transgjinore.

Atmosfera në kompani ishte e tillë që Razek konsiderohej si përfaqësues i Wexner, duke i lënë të gjithëve përshtypjen se ishte i pathyeshëm. Madje në shumë raste, vetë Wexner thuhej se keqtrajtonte gratë.

Intervistat me modelet dhe punonjësit e tjerë nxjerrin në pah anën e errët të kompanisë, e cila u pa me dyshim kur u përfol lidhja e Wexner me financierin Jeffrey Epstein, kriminel i arrestuar për abuzim seksual dhe abuzim e trafikim të miturish. Epstein menaxhonte pasurinë shumë-miliardëshe të Wexner dhe thuhet se joshi dhe abuzoi me shumë gra, duke u hequr si përfaqësues i Victoria’s Secret.

Pas raportimit të NYT, Tammy Roberts Myers, zëdhënëse e L Brands, u shpreh: “Na vjen keq për çdo rast kur nuk kemi arritur objektivin dhe jemi plotësisht të përkushtuar për përmirësimin e vazhdueshëm dhe përgjegjshmërinë e plotë.”

Në asnjë moment, ajo nuk kundërshtoi raportimet e New York Times.

Ed Razek u shpreh përmes një emaili se “raportimet janë të pavërteta, të gabuara dhe të marra jashtë kontekstit”, ndërsa Wexner nuk pranoi të komentojë.

Ky investigim duket se është një goditje e fundit, akoma më e fortë, për VS, kompani që po kalon ditët më të vështira – me qindra dyqane të mbyllura, anulim të shfaqjes vjetore dhe sigurisht kritika nga vajzat dhe gratë.

A mos po shkatërrohet një perandori si Victoria’s Secret?

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303