Erdogan: Do të përndjekim financuesit e Gulen

Turqia do të ndërmarrë nisma të reja për të shënjestruar financimin e mbështetësve të klerikut Fethullah Gulen jashtë kufijve të vendit. Deklaratën e bëri presidenti Recep Tayyip Erdogan, gjatë një fjalimi të mbajtur në Ankara.
Turqia beson se ndjekësit e Gulenit qëndrojnë pas tentativës së dështuar për grusht shteti korrikun e vitit 2016, kur grupe ushtarësh morën tanke e helikopterë, e hynë në ndërtesën e Parlamentit.
Vetë kleriku ka mohuar gjithmonë të ketë pasur gisht në përpjekjen për rrëzimin e Erdoganit.
Në muajin nëntor, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu iu dorëzoi zyrtarëve amerikanë një listë me emrat e 84 pjesëtarëve të lëvizjes së Fethullah Gulenit, përfshirë edhe atë vet, të cilët Ankaraja kërkon që të ekstradohen.
Por ministri i jashtëm turk nuk mori asnjë garanci atëherë nga homologu amerikan Mike Pompeo, e as nga këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, se kërkesa do t’i plotësohej.
Fati i Gulenit vazhdon të mbetet burim tensionesh mes dy vendeve.

Lër një koment