Erdogan i bindur se SHBA nuk do të vendosë sanksione

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka shprehur bindjen e tij se Shtetet e Bashkuara nuk do të vendosin sanksione ndaj shtetit të tij, pasi Ankaraja insiston që të mos e anulojë marrëveshjen për blerjen e sistemeve të mbrojtjes raketore S-400 nga Rusia.

Erdogan është takuar në margjinat e samitit të G20-ës me presidentin e SHBA-së, Donald Trump me të cilin kanë biseduar për marrëveshjen e Turqisë me Rusinë për blerjen e sistemeve S-400.

“Trump më tha se nuk do të ketë sanksione”,u shpreh  Erdogan duke shtuar se Turqia dhe SHBA-ja janë partnerë strategjikë dhe shtoi se “askush nuk ka fuqi që të ndërhyjë në sovranitetin e Turqisë”.

Zyra e Erdoganit, përmes një deklarate tha se presidenti Trump ka shprehur dëshirën e tij që çështja e sistemit S-400 të mund të “zgjidhet pa prishur marrëdhëniet bilaterale” SHBA-Turqi.

Pavarësisht presionit nga Uashingtoni që marrëveshja për blerjen e këtij sistemi të mbrojtjes raketore të anulohet, Erdogan vazhdimisht ka deklaruar se kjo nuk do të ndodhë dhe së fundmi ka thënë se dërgesa e parë e sistemeve ruse do të arrijë në Turqi në mesin e muajit korrik./real-news.tv/