Erdogan: Paqja dhe stabiliteti në Ballkan, shumë të rëndësishme për Turqinë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se paqja, stabiliteti dhe mirëqenia në Ballkan janë maksimalisht të rëndësishme për Turqinë.

Këto komente Erdogan i bëri gjatë një konference për media në Aeroportin Ataturk të Stambollit para nisjes për në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku do të marrë pjesë në Samitin dyditor të Procesit të Bashkëpunimit Evropës Juglindore (SEECP).

“Paqja, stabiliteti, qetësia dhe mirëqenia e Ballkanit janë maksimalisht të rëndësishme për Turqinë. Nuk mund të jemi spektatorë nga larg të zhvillimeve që ndodhin në këtë rajon”, tha presidenti turk, duke theksuar se edhe Turqia njëkohësisht është edhe shtet i Ballkanit me rrënjët e saj historike, njerëzore, fetare dhe kulturore.

Në fjalën e tij, Erdogan shprehu bindje se vizita e tij dhe takimet që do të zhvillojë do të japin kontribute të rëndësishme për forcimin e raporteve me fqinjët e Ballkanit.

Sipas një deklarate nga Presidenca e Turqisë më herët, Erdogan gjatë vizitës së tij do të zhvillojë gjithashtu takime bilaterale me anëtarët e Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Herzegovinës dhe me liderë të tjerë pjesëmarrës.

“Turqia, në kuadër të rëndësisë që i jep paqes, stabilitetit dhe mirëqenies në Ballkan, ka kontribuar në mënyrë efektive në SEECP, e vetmja platformë e bashkëpunimit rajonal që përfshin të gjitha vendet e Ballkanit që nga themelimi i saj”, thuhet në deklaratën e presidencës turke.