Erdogan: Turqia ka arrestuar gruan e Al-Baghdadit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se Turiqa ka kapur gruan e liderit të vrarë të DEASH-it, Abu Bakr al-Baghdadi

“Po e njoftoj për herë të parë, ne gjithashtu kemi kapur edhe gruan e Baghdadit”, tha Erdoğan në ceremoninë e shënimit të 70-vjetorit të themelimit të Fakultetit Teologjik të Universitetit të Ankarasë.

Erdoğan përshkroi terroristin si një person i cili derdh gjakun e njerëzve të pafajshëm pa iu trembur syri për qëllime personale të çoroditura.

Turqia të martën njoftoi se është arrestuar edhe motra e Al-Baghdadit.

“Arrestimi i motrës së al-Baghdadit është edhe një shembull i suksesit të operacioneve tona kundër-terroriste”, tha në Twitter, Fahrettin Altun, shefi i Komunikimeve të Presidencës së Turqisë.

Që kur Turqia e njohu DEASH-in si grup terrorist në vitin 2013, Turqia është sulmuar shumë herë nga terroristët e DEASH-it, përfshirë 10 bomba vetëvrasëse, shtatë bomba dhe katër sulme të armatosura që vranë 315 persona, përfshirë oficerë të policisë, ushtarë dhe qindra të plagosur.