fbpx

FA reagon pas akuzave të PD: Xhaçka ka përdorur helikopterin vetëm 4 herë për një vit

FA.png

Forca Ajrore shqiptare kanë reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike se Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka përdorur 22 herë helikopterin për fushatë në Dibër.

Në një deklarata për mediat FA thekson se informacioni i përcjellë është i pasaktë dhe përbaltja ndaj tyre është e papranueshme. Sipas FA, Xhaçka nuk ka përdorur helikopterin 22 herë, por vetë katër herë për një vit.

“Gjatë muajve të fundit, jo 22 por 338 fluturime në të gjitha qarqet e vendit. Nuk ka asnjë shpërdorim misioni dhe kapacitetesh. Detyrë e jona gatishmëria e mjeteve, kontrolli i hapësirës, emergjencat dhe asistenca për drejtuesit e shtetit. Në një vit Xhaçka përdori mjetet ajrore vetëm 4 herë në Shkodër, Dibër e Gjirokastër”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.

Deklarata e plotë:

Ditët e fundit Forca Ajrore e Republikës së Shqipërisë është përballur me një sulm të pabazë nga përfaqësues të një subjekti politik, të cilët akuzojnë për keqpërdorim të misionit dhe të mjeteve të Forcës Ajrore.

Mes informacioneve të përdorura në mbështetje të këtyre akuzave, përfaqësues të këtij subjekti kanë bërë publike edhe një listë fluturimesh në një qark të Republikës së Shqipërisë, edhe pse nxjerrja e informacioneve të tilla, shumë prej të cilave janë të klasifikuara për shkak të cenimit të sigurisë së FA, përbën një vepër penale që ndëshkohet me ligj.

Në rastin konkret, në funksion të detyrimit të saj ligjor për transparencë e për të informuar qytetarët, të cilët me të drejtë meritojnë të dinë të vërtetën rreth këtyre akuzave, deklarojmë me përgjegjësi të plotë që informacioni i përcjellë në media nga subjekti politik është i pasaktë, qoftë përsa i përket datave të fluturimeve, qoftë përsa i përket destinacioneve, qoftë përsa i përket arsyeve e qoftë përsa i përket personave që kanë udhëtuar në bordin e mjeteve të Forcës Ajrore.

Është pjesë e misionit të Forcës Ajrore, që të sigurojë kapacitetet e nevojshme për vëzhgimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërise, të mbështesë operacionet luftarake e jo luftarake, ato të kërkim shpëtimit si dhe të realizojë komandim – kontrollin e mjeteve ajrore në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë.

Për më tepër, është detyrë e saj funksionale të mbajë në gatishmëri mjetet dhe efektivët, të garantojë fluturimet dhe kontrollin e hapësirës ajrore, transportin për nevoja të FA, emergjencat civile, emergjencat mjekësore ajrore dhe asistencën përmes fluturimeve për Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA.

Ne respekt të opinionit publik sqarojmë se:

Çdo pilot operacional i FA, sipas standardeve të NATO-s ka detyrimin të kryejë minimalisht 120 orë fluturimi në vit, për të njohur terrenin, ushtruar detyrën dhe njohuritë si pilot, dhe për të ndihmuar në mirëmbajtjen e mjeteve ajrore. Ky detyrim respektohet në mënyrë rigoroze përmes fluturimeve stërvitore dhe detyrave funksionale,  çdo ditë e çdo javë në qytete të ndryshme të vendit, siç ka ndodhur dhe do të ndodhë përsa kohë ky është një standard i NATO dhe si i tillë aplikohet në çdo vend anëtar të aleancës!

Në përputhje me misionin dhe detyrat e Forcës Ajrore, gjatë muajve të fundit janë kryer 338 fluturime. Nga të cilat vetëm 9 kanë pasur si destinacion qarkun e Dibrës. E përsërisim, vetëm 9 dhe jo 22, siç pretendon subjekti politik, nga të cilat, 4 kanë qenë për emergjenca mjekësore ajrore dhe pjesa tjetër emergjenca civile dhe trajnim rutinë i pilotëve të Forces Ajrore.

329 fluturime të tjera kanë pasur si destinacion Kukësin, Tropojën, Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Elbasanin, Kucovën, Beratin, Korçën, Gjirokastrën, Vlorën, Sarandën, Fierin dhe Tiranën.

Theksojmë se përgjatë gjithë vitit 2020, Ministrja e Mbrojtjes, edhe pse ligji i njeh të drejtën e plotë të përdorë mjetet e Forcës Ajrore në çdo kohë e për çdo detyrë, e ka përdorur këtë të drejtë ligjore vetëm 4 herë në një vit, për të udhëtuar drejt qarqeve Shkodër, Dibër dhe Gjirokastër, qarqe ku ndodhen edhe detashmentet rajonale te mbrojtjes së Forcave të Armatosura.

Këto 338 fluturime përbëjnë vetëm 22% të planit vjetor dhe të zërit buxhetor të parashikuar për fluturimet stërvitore! Nëse do të përdornim matematikën e subjektit politik, për vetëm 338 fluturimet që janë kryer, vlera financiare do të kishte qenë plot 15 herë më e madhe se sa i tërë buxheti vjetor i FAj për zërin fluturime stërvitore, i cili aktualisht është 78% i parealizuar.

Forca Ajrore jo vetëm nuk ka shpërdoruar fondet dhe njerëzit e saj për arsye politike por në kushtet e një viti të vështirë si pasojë e pandemisë, ka treguar përgjegjshmëri kundrejt qytetarëve duke përdorur me shumë kujdes e pa asnjë abuzim kapacitetet e saj njerëzore dhe financiare.

Përdorimi dhe përbaltja e efektivëve të FA në emër të luftës politike është e papranueshme. Forcat e Armatosura janë sot institucioni që gëzon besimin e qytetarëve shqiptarë dhe kjo është arritur pikërisht falë ndaljes së abuzimeve dhe shpërdorimeve që e kishin goditur aq rëndë reputacionin e tij gjatë dekadave të tranzicionit.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303