Fabregas i jep lamtumirën Chelsea-t

inter.jpg

Mesfushori spanjoll Cesc Fabregas me lot në sy i ka dhënë lamtumirën Chelseat dhe tifozëve të tij në Stamford Bridge të shtunën, dhe është shumë pranë kalimit në Monaco.

31-vjeçari ishte titullar ndaj Nottingham Forestit në ndeshjen e rundit të tretë të FA Cup, si dhe e barti shiritin e kapitenit për të kaltrit, raporton Gazeta Express. Fabregas e pati një mundësi të përkyer për t’u përshëndetur me gol, por gjuajtjen e tij nga penalltia në minutën e 30-të e priti për mrekulli portieri Luke Steele.

Sido që të jetë, Alvaro Morata u përkujdes ta dërgojë Chelsean në raundin tjetër me dygolëshin e tij.

Derisa Chelsea po fitonte 2-0, Maurizio Sarri i dha mundësinë Fabregasit t’u thotë lamtumirë tifozëve të të kaltërve pasi e zëvendësoi me N’Golo Kanten pesë minuta para fundit.

Fabregas e përqafoi bashkëlojtarin David Luiz para se të largohej nga fusha, duke i duartrokitur tifozëve.

Pasi iu bashkua Chelseat nga Barcelona në vitin 2014, Fabregas i kaloi katër sezone e gjysmë me të kaltrit, duke i fituar dy tituj të Premierligës, një titull të FA Cup dhe një të League Cup.

Tani, spanjolli do t’i bashkohet Monacos, që udhëhiqet nga ish-bashkëlojtari i tij te Arsenali, Thierry Henry.

Marrë nga: gazetaexpress.com

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303